Wesley Clark i jepet një ditë shtesë nga Specialja
Gjykata Speciale në Hagë e ka miratuar një kërkesë të Mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi lidhur me dëshminë e Wesley Clark, ish-komandantit suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Europë, i cili pritet të dëshmojë në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Për dëshminë e Clark, Specialis njoftoi se do të japë një ditë shtesë, siç u kërkua.
“Pasi u informua se kjo dëshmi mund të fillojë vetëm më 18 nëntor pasdite, dhe pas shqyrtimit të kohës së nevojshme të vlerësuar nga palët, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Mbrojtjes për të rezervuar një ditë shtesë për seancë, më 21 nëntor, për të përmbyllur dëshminë”, thuhet në njoftim.
Trupi Gjykues konsideroi se “kjo ditë shtesë ishte rezervuar për të përmbyllur në mënyrë të shpejtë dhe të efektshme paraqitjen e argumenteve nga Mbrojtja”, por ka kërkuar që palët “të përpiqen ta përmbyllin dëshminë më herët, nëse është e mundshme”.
Përveç këtij vendimi, Specialja njoftoi edhe për një ndryshim në orar për javën e ardhshme: seanca e hënën, më 10 nëntor 2025, do të fillojë në orën 14:00 dhe do të përfundojë në orën 17:00.
Gjithashu, këtë javë nuk do të zhvillohen seancat e planifikuara në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Anulimi i sesioneve është bërë edhe zyrtarisht dhe krejt për shkak të shtyrjes së dëshmisë së diplomatit amerikan, Christopher Hill.
I njëjti, së bashku me një dëshmitar tjetër paraprakisht, të thirrur nga ish-presidenti Hashim Thaçi, pritet të dëshmojnë në javën që nis më 10 nëntor.
(Kosova Sot Online)
