Votimi në raundin e dytë sot do të mbahet në 18 komuna të Kosovës
Mbi 1 milion e 300 mijë qytetarë me të drejtë vote do të mund të zgjedhin sot, e diel 09 11 2025 kryetarin e tyre të ardhshëm të komunës së tyre, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Votimi në raundin e dytë do të mbahet në 18 komuna të vendit, në të cilat s’u zgjodh kryetari me të parën.
Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 525 Qendra të Votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1,628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra, nga një për çdo komunë ku mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve, me 20 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht. Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto 18 komuna është 1,316,672 votues.
Komunat në të cilat do të ketë garë janë Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.
(Kosova Sot Online)
