Ja kush paralajmëron se nuk do të votojë për certifikimin e rezultatit në Mitrovicë
Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ ka paralajmëruar se partia e tij nuk do t’ i votojë dhe as nuk do t’i certifikoj rezultatin zgjedhor në Mitrovicën e Jugut, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Kjo pasi sipas tij, cenimi i vullnetit të qytetarëve nuk mund të përfundojë vetëm në rrafshin e një vepre penale.
“Nëse organet e drejtësisë vërtetojnë se është manipuluar vullneti i qytetarëve të Mitrovicës, unë, si anëtar i KQZ-së, nuk do të votoj dhe as nuk do të certifikoj rezultatin zgjedhor në këtë komunë. Askush nuk ka të drejtë të përvetësojë zërin e qytetarëve për interesa të ngushta politike”, ka shkruar ai.
Ai thotë se kodimi i fletëvotimit për çdo vendvotim ka pasur një qëllim të qartë dhe të drejtë: të ndalojë manipulimet, të prishë “shinat e trenit bullgar” dhe të mbrojë integritetin e votës.
“Dyshimet për “trenin bullgar” në Mitrovicë janë alarm serioz për demokracinë dhe integritetin e procesit zgjedhor. Këto çështje nuk mund të trajtohen vetëm si raste penale, sepse problemi është shumë më i thellë, është politik, institucional dhe lidhet drejtpërdrejt me besimin e qytetarëve në votë”.
Prandaj, ai kërkon hetim të plotë, të paanshëm dhe vendim të drejtë për votuesit e Republikës së Kosovës. “Demokracia nuk mund të mbijetojë mbi mashtrime dhe manipulime, ajo mbrohet vetëm me të vërtetën dhe drejtësinë”.
(Kosova Sot Online)
