Ngrihet aktakuzë ndaj Rozeta Hajdarit për rezervat shtetërore
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar se Prokuroria Speciale ka dorëzuar aktakuzë ndaj saj në Gjykatën Themelore të Prishtinës, lidhur me çështjen e rezervave shtetërore, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Sapo u njoftova nga avokati im, për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne”, shkroi Hajdari në Facebook.
Ajo theksoi se sapo ta ketë pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohet më gjerësisht për media.
Në lidhje me këtë çështje, ka njoftuar edhe Prokuroria Speciale. Organi i akuzës ka bërë të ditur se përveç Hajdarit, aktakuzë është ngritur edhe ndaj ish-zëvendëssekretarit të MINT-it, Irfan Lipovica, si dhe drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara.
Këta të tre akuzohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”.
Aktakuzë është ngritur edhe ndaj afaristit Ridvan Muharremi. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Të pandehurit R.H., I.L. dhe H.G., akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, Në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, Prokuroria thekson se i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2 milionë e 912 e 134 euro e 78 cent.
“Të pandehurit R.H., I.L dhe H.G. akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M”.
I pandehuri Muharremi akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, “duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”.
Në kohën e pandemisë, MINT kishte porositur me kontrata njëburimore disa mallra për rezervën shtetërore, si miell, sheqer dhe vaj. Mirëpo, një sasi e madhe e tyre nuk kishte ardhur.
(Kosova Sot Online)
