KQZ: Verifikimi i votave në Mitrovicë drejt përfundimit

  • A.P /
  • 12 November 2025 - 13:05
KQZ: Verifikimi i votave në Mitrovicë drejt përfundimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar të mërkurën se në Qendrën Komunale të Numërimit po vazhdon procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas KQZ-së, “deri në orën 09:00 të ditës së mërkurë, janë verifikuar rezultatet e 75 vendvotimeve nga 105 sa i takojnë kësaj komune. Ky proces pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme”.

Një ditë më parë, të martën, është përmbyllur verifikimi i rezultateve të raundit të dytë në 17 Qendra Komunale të Numërimit: Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë, Viti, Prizren dhe Pejë.

Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon edhe rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili kishte nisur një ditë më parë.

Sipas të dhënave të fundit, “deri në orën 09:00 të së mërkurës janë rinumëruar 10 vendvotime”.


(Kosova Sot Online)