Bajrami: Qytetarët në Kosovë po vidhen 24 orë në ditë

  • A.P /
  • 14 November 2025 - 08:21
Bajrami: Qytetarët në Kosovë po vidhen 24 orë në ditë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po menaxhohet sistemi i faturimit të energjisë elektrike në vend, duke e quajtur këtë proces “hajninë më të madhe që Kosova ka përjetuar ndonjëherë”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në një postim në Facebook, Bajrami ka thënë se çdo qytetar i vendit po vidhet “24 orë në ditë, 7 ditë në javë” përmes faturave të rrymës.

Ajo ka cituar një hulumtim te mediave, i cili bazohet në të dhënat e Zyrës Kombëtare të Auditimit, ku thuhet se nga viti 2023 konsumatorët paguajnë katërfish më shumë për tarifën e Fondit të BRE-ve – 3.14 euro për megavat/orë, krahasuar me 73 cent në vitin 2022.

Sipas shkrimit, kjo rritje erdhi si pasojë e “dështimit të KOSTT-it dhe ZRrE-së në menaxhimin e Fondit” dhe “favoreve ndaj prodhuesve të energjisë së ripërtëritshme në kurriz të konsumatorëve”.

“Ata që po e mundësojnë dhe po e lejojnë këtë vjedhje e kanë bekimin e Artane Rizvanollit dhe Albin Kurtit. Militanta, a po e cilësojmë patriotizëm edhe këtë?”, ka shkruar Bajrami.

(Kosova Sot Online)