BBC-ja i kërkon falje Trumpit, por refuzon të paguajë kompensim
BBC-ja i ka kërkuar falje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për episodin e programit Panorama në të cilin pjesë të fjalimit të tij ishin bashkuar në një, por refuzoi kërkesën për kompensim, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Korporata ka thënë se ajo ndërhyrje ka dhënë “përshtypjen e gabuar se presidenti Trump ka bërë thirrje direkte për veprime të dhunshme” dhe ka thënë se nuk do ta shfaqë më atë program, transmeton “BBC”.
Avokatët e Trumpit kanë kërcënuar se do ta padisin BBC-në duke kërkuar kompensim 1 miliard dollarë nëse korporata nuk bën tërheqjen, nuk kërkon falje dhe nuk e kompenson presidentin amerikan.
Kjo ngjarje ka çuar te dorëheqjet e drejtorit të përgjithshëm të BBC-së, Tim Davie dhe drejtoreshës së informacionit Deborah Turness.
Kërkimfalja erdhi pasi një video e dytë e ngjashme e edituar, e transmetuar në Newsnight më 2022, u publikua nga “Daily Telegraph”.
Të enjten mbrëma, BBC-ja ka thënë se programi Panorama është rishikuar pas kritikave se si është edituar fjalimi i Trumpit.
“Ne e pranojmë se editimi ynë pa qëllimshëm ka krijuar përshtypjen se po transmetojmë një fjalim të vetëm, e jo pjesë të ndryshme të fjalimit, dhe ka dhënë përshtypjen e gabuar se presidenti Trump ka bërë thirrje direkte për veprime të dhunshme”, thuhet në sqarimin.
Avokatët e BBC-së i kanë shkruar ekipit ligjor të Trumpit në përgjigje ndaj letrës që u pranua të dielën.
“Kreu i BBC-së, Samir Shah, personalisht ka dërguar letër te Shtëpia e Bardhë duke ia bërë të qartë presidentit Trump se ai dhe korporata shprehin keqardhje për editimin e fjalimit të presidentit të 6 janarit të vitit 2021, që është shfaqur në program”, ka thënë një zëdhënës i BBC-së.
BBC-ja ka thënë se nuk e ka në plan ta ritransmetojë dokumentarin në ndonjë platformë.
“Derisa BBC-ja shpreh keqardhje për mënyrën se si videoklipi është edituar, ne fuqimisht shprehim mospajtimin se ka bazë për pretendim për shpifje”, thuhet në përgjigje.
Në fjalimin e tij më 6 janar të vitit 2021, Trump tha: “Ne do të ecim drejt Capitolit, dhe do të bëjmë tifo për senatorët e guximshëm dhe kongresistët”.
Më tepër se 50 minuta më vonë në fjalim, ai tha: “Dhe ne do të luftojmë. Do të luftojmë deri në fund”.
E në programin Panorama të vitit 2024, klipi shfaq Trumpin duke thënë: “Ne do të ecim drejt Capitolit…dhe do të jem aty me ju. Dhe do të luftojmë. Do të luftojmë deri në fund”.
Duke folur për “Fox News”, Trump tha se fjalimi i tij i 6 janarit të vitit 2021, është “masakruar” dhe mënyra se si është shfaqur ka “mashtruar” shikuesit.
BBC-ja ka pranuar një letër nga ekipi ligjor i Trumpit të dielën. Është kërkuar “tërheqje e plotë dhe korrekte” e dokumentarit, një kërkimfalje, dhe po ashtu BBC-ja “në mënyrë të përshtatshme ta kompensojë presidentin Trump për dëmin e shkaktuar”.
Ka caktuar një afat përfundimtar deri të premten që korporata të përgjigjet.
Në letrën dërguar ekipit ligjor të Trumpit, BBC-ja ka treguar argumentet e veta.
Ka thënë se BBC-ja nuk ka të drejtat për ta shpërndarë episodin Panorama në kanalet në SHBA. Dhe ka treguar se kur dokumentari ishte në dispozicion në BBC iPlayer, u kufizua gjeografikisht vetëm te shikuesit në Britani.
E dyta tha se dokumentari nuk i shkaktoi dëm Trumpit, pasi ai u zgjodh president. E treta, klipi nuk ishte edituar për të keqinformuar, por vetëm u shkurtua një fjalim i gjatë dhe se editim u bë pa një qëllim të keq.
Ka thënë se klipi ishte vetëm 12 sekonda në programin njëorësh, ku pati shumë zëra në përkrahje të Trumpit.
Dhe e pesta tha se një opinion mbi një çështje me interes publik dhe fjalim politik mbrohet fuqishëm sipas ligjeve në SHBA.
(Kosova Sot Online)
