Trump thirrje republikanëve: Votoni për publikimin e dosjeve të Epstein
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka bërë thirrje republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve që të votojnë në favor të publikimit të dosjeve “Epstein”, një kthesë e papritur nga qëndrimi i tij i mëparshëm,
transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Republikanët e Dhomës duhet të votojnë për lirimin e dosjeve Epstein, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur”, shkroi Trump në Truth Social mbrëmjen e së dielës.
Kjo lëvizje vjen ndërsa dhjetëra republikanë kanë sinjalizuar se janë gati të votojnë ndryshe nga linja e partisë, duke mbështetur projektligjin që detyron Departamentin e Drejtësisë të publikojë të gjitha materialet e paklasifikuara që lidhen me financierin pedofil Jeffrey Epstein.
Votimi pritet të mbahet këtë javë, dhe projektligji, i njohur si “Epstein Files Transparency Act”, besohet se ka mjaftueshëm mbështetje për t’u miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve. Fati i tij në Senat mbetet ende i paqartë. Edhe nëse miratohet, Trump do të duhet ta dekretojë për të hyrë në fuqi.
Interesi politik rreth dosjeve është rritur, teksa Departamenti i Drejtësisë ka konfirmuar se po heton lidhjet e mundshme të Epstein me figura të njohura, përfshirë ish-presidentin Bill Clinton, themeluesin e LinkedIn Reid Hoffman dhe ish-sekretarin e Thesarit Larry Summers.
Në postimin e tij, Trump theksoi se Departamenti i Drejtësisë “ka dorëzuar dhjetëra mijëra faqe dokumente” dhe u shpreh se republikanët mund të marrin çdo material për të cilin janë të autorizuar ligjërisht. Ai akuzoi demokratët se po përpiqen të ndërtojnë një “narrativë të rreme” që synon ta lidhë atë me Epstein.
Ky qëndrim i ri i presidentit vjen pas publikimit nga demokratët të disa e-maileve të vjetra mes Epstein dhe bashkëpunëtores së tij Ghislaine Maxëell, në të cilat përmendet edhe emri i Trump. Si kundërpërgjigje, republikanët publikuan 20 mijë faqe dokumente shtesë, duke akuzuar demokratët për manipulim selektiv të informacionit.
Në sfond të tensioneve politike, presidenti Trump është përfshirë edhe në një përplasje publike me kongresisten Marjorie Taylor Greene, e cila e ka kritikuar hapur mënyrën se si po trajtohet çështja “Epstein”.
Ndërkohë, të mbijetuarit e abuzimeve të Epstein dhe familja e Virginia Giuffre i kanë bërë thirrje Kongresit që të votojë pro publikimit të dosjeve, duke u kujtuar ligjvënësve përgjegjësinë ndaj qytetarëve.
Projektligji, nëse miratohet, pritet të hedhë dritë mbi dokumentet, komunikimet dhe materialet hetimore të dosjes së shumëpërfolur, duke rritur transparencën për një rast që ka tronditur opinionin publik amerikan prej më shumë se një dekade.
(Kosova Sot Online)
