Kos: S’jam e kënaqur që do të ketë zgjedhje në Kosovë
Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se kriza aktuale politike në Kosovë po ndikon drejtpërdrejt në proceset që lidhen me Planin e Rritjes për vendin, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Ajo gjatë një interviste shprehu pakënaqësinë e saj për faktin që Kosova po shkon sërish në zgjedhje, duke theksuar se Komisioni Evropian është në pritje të ratifikimit të dy marrëveshjeve që janë thelbësore për të lëshuar fondet.
Megjithatë, Kos theksoi se demokracia në Kosovë po funksionon dhe se vendi ka bërë përparime të qëndrueshme reformuese.
Komisionerja shtoi se Kosova, ndonëse ende jo vend kandidat zyrtar, është plotësisht e përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, në nivel të ngjashëm me Shqipërinë.
Ajo tha se e sheh Kosovën si pjesë të pandashme të projektit të zgjerimit evropian, duke shtuar se nuk mund të imagjinohet Bashkimi Evropian i përmbyllur pa përfshirjen e Kosovës.
(Kosova Sot Online)
