Merz: Putini nuk ka asnjë shans për ta fituar këtë luftë
Në Berlin, kancelari gjerman, Friedrich Merz, është duke folur në Bundestagun gjerman në një debat mbi buxhetin e vitit të ardhshëm të vendit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Krahas nevojës për të reformuar ekonominë gjermane dhe për të përmirësuar konkurrueshmërinë e saj, ai foli edhe për Ukrainën dhe përpjekjet për një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës.
Merz thotë se ruajtja e paqes në Europë është një nga parimet kryesore udhëzuese të qeverisë së tij, ndërsa flet për nevojën për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por jo me kushte që do të përbënin “kapitullim”, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Ai gjithashtu flet për nevojën për të ruajtur unitetin midis vendeve europiane dhe me SHBA-në, pasi “pa pëlqimin e Ukrainës dhe pa pëlqimin e europianëve, nuk do të ketë bazë për një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”.
Ai thotë se mirëpret përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës, por këmbëngul se “çështjet europiane mund të vendosen vetëm në marrëveshje me Europën”, pasi Europa “nuk është një gur shahu, por një aktor sovran, me interesat dhe vlerat e veta”.
Merz përsërit se Rusia mund ta përfundonte luftën brenda pak minutash nëse do ta donte vërtet dhe është e vetmja agresore në këtë konflikt.
Ai deklaron se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa të jetë e mundur” dhe thotë se do të mbështesë idenë e përdorimit të aseteve të ngrira ruse “të disponueshme për këtë qëllim”.
“Putini duhet të kuptojë se nuk ka asnjë shans për ta fituar këtë luftë në kurriz të rendit europian të lirisë dhe paqes”, thotë ai.
Kancelari thotë se Gjermania do ta rrisë mbështetjen e saj për Ukrainën vitin e ardhshëm në një total prej 11.5 miliardë eurosh.
Pastaj, ai kthehet te tregtia dhe nevoja për të diversifikuar partneritetin e lëndëve të para dhe për të investuar në sigurinë kibernetike.
Por duke u kthyer shkurtimisht te çështja e forcave të armatosura, ai thotë se “duhet të mësohemi përsëri me idenë se paqja dhe liria nuk vijnë falas”.
(Kosova Sot Online)
