Trump: SHBA do të ndalojë përgjithmonë migrimin nga të gjitha vendet e botës së tretë
Donald Trump ka thënë se do të ndalojë përgjithmonë migrimin drejt SHBA-së nga të gjitha “vendet e botës së tretë”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Presidenti amerikan shkroi në një postim në Truth Social se vendimi do të “lejonte që sistemi amerikan të rimëkëmbet plotësisht”, sipas tij, “nga politikat e imigracionit që kishin gërryer “fitimet dhe kushtet e jetesës” të shumë amerikanëve”.
Ai nuk dha detaje mbi planin e tij dhe as nuk përmendi vendet që mund të preken.
“Qindra mijëra refugjatë nga Somalia po e pushtojnë plotësisht shtetin dikur të madh të Minesotës”, u shpreh presidenti, duke shtuar se “Do ta ndaloj përgjithmonë migrimin nga të gjitha vendet e Botës së Tretë për të lejuar sistemin amerikan të rimëkëmbet plotësisht”.
Shprehja “bota e tretë” është një term që është përdorur në të kaluarën për të përshkruar vendet më të varfra dhe në zhvillim.
Presidenti amerikan ka vendosur tashmë një ndalim udhëtimi për shtetasit e Afganistanit dhe 11 vendeve të tjera, kryesisht në Afrikë dhe Azi, në fillim të këtij viti.
(Kosova Sot Online)
