Berisha: Edi Rama mashtroi hapur shqiptarët dhe Europën
Kreu i PD, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat tha se Edi Rama ka mashtruar hapur shqiptarët dhe partnerët europianë, duke iu referuar në mënyrë të pavërtetë Komisionit të Venecias. Sipas Berishës, Edi Rama ka manipuluar opinionin publik duke përdorur interpretim të rremë të rekomandimeve ndërkombëtare për të justifikuar veprimet e tij politike,
Lideri i opozitës theksoi se kjo përbën një precedent të rrezikshëm për marrëdhëniet e Shqipërisë me institucionet europiane.
Berisha deklaroi se Rama ka ushtruar “presion të jashtëzakonshëm dhe të paprecedentë” mbi Gjykatën Kushtetuese, në përpjekje për të mbrojtur veten dhe ministren Belinda Balluku, e cila është nën akuzë për një aferë që i ka kushtuar dhjetëra milionë euro qytetarëve.
Pjesë nga deklarata:
Dita e djeshme shënoi një akt të pashembullt, multidimensional në historinë e Shqipërisë dhe të Europës.
Dje, Edi Rama mori përsipër presionin e jashtëzakonshëm mbi Gjykatën Kushtetuese, presion të hapur, të dënuar me ligj në çdo vend, për të mbrojtur veten e tij dhe Belindën, pas shpinës të së cilës ka ngrënë vetë dardha dhe kumbulla të prishura.
Edi Rama mashtroi në mënyrën më të paskrupullt, mashtroi shqiptarët dhe Europën sepse sipas tij, Komisioni i Venecias nuk pranon apo është kundër pezullimit të ministrave.
Krahas Komisionit të Venecias, ai rreshton Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila siç dihet është gjykata garante e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Le të marrim pak sulmin e paskrupullt, e pashembullt ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe sistemit evropian të drejtësisë, Komisionit të Venecias për sa mund të kuptohet kur ky mashtrues shqiptar dhe ndërkombëtar i referohet Komisionit për ato, të cilat ai kurrë nuk i ka thënë.
Edi Rama thotë se pezullimi i Ballukut, duke iu referuar Komisionit të Venecias, është joproporcional.
Është një mashtrim fund e krye.
Komisioni i Venecias kërkon vetëm proporcionalitet në çdo gjë.
Por Edi Rama harron se proporcionaliteti është një nga parimet bazë edhe të Kushtetutës së Shqipërisë.
Sepse është parimi i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Antidemokratike.
Nuk ka asgjë më demokratike se sa funksionimi i shtetit ligjor. Nuk ka demokraci pa funksionimin e shtetit ligjor dhe ky është një mashtrim që ai u bën shqiptarëve.
Një gjykatë ka ngritur padi, ka marrë nën hetim dhe më pas ka ngritur akuzë penale ndaj një ministri për një aferë, në të cilën shqiptarët humbën 97 milionë euro, por në dokumentet bazë, 50 milionë euro.
Antidemokratike do të ishte nëse do injoronin këtë superskandal të Belinda Ballukut.
Antikushtetuese në përmbajtje.
Në asnjë nen, Komisioni i Venecias ka qartësuar se pezullimi nuk shkel, nuk cenon kushtetutshmërinë. Parimi i pezullimit pra.
Them edhe njëherë, nuk gjen kurrë ndonjë fjalë të vetme që Venecia të ketë shqiptuar për ministrat.
Por Venecia thotë se pezullimi si akt nuk cenon kushtetutshmërinë.
Pra, Edi Rama mashtron në mënyrë të pacipë, të turpshme.
Nuk ka asgjë antikushtetuese, sipas Komisionit të Venecias dhe sipas Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, akti i pezullimit. Jo!
(Kosova Sot Online)
