Prokuroria dërgon tetë persona në gjyq
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka finalizuar hetimet e tre procedimeve penale, duke çuar përpara drejtësisë një grup prej tetë shtetasish shqiptarë dhe kosovarë, të përfshirë në një skemë trafikimi armësh nga Kosova drejt territorit shqiptar, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Në qendër të dosjes janë veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” (neni 278/6 i Kodit Penal) dhe “Trafikimi i armëve dhe municionit” (neni 278/a/2 i Kodit Penal).
Tre shtetas kosovarë, të dënuar pasi pranuan akuzën
Me kërkesë të Prokurorisë, tre të pandehur kosovarë – E.Th., B.K. dhe M.K. – janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar nga gjykata si më poshtë:
B. K. – 8 vite burg për “Trafikim armësh dhe municionesh”, neni 278/a/2;
M. K. – 6 vite e 8 muaj burg për të njëjtën vepër penale;
E. Th. – 7 vite burg për “Trafikim armësh dhe municionesh”.
Sipas hetimeve, të tre kanë qenë pjesë e segmentit ndërkufitar të transportit dhe furnizimit me armë, duke i kaluar ato në mënyrë të paligjshme drejt territorit shqiptar.
Pjesa tjetër e grupit shkon në gjyq
Ndërkohë, pesë të pandehurit e tjerë – T.Sh., G.Ll., E.M., A.M. dhe V.O. – do të përballen me gjyqin për akuzat:
“Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” për katër prej tyre;
“Trafikimi i armëve dhe municionit” për shtetasin V.O.
Sipas dosjes hetimore, këta shtetas dyshohet të kenë vepruar si segmenti pritës, magazinues dhe transportues brenda Shqipërisë, duke bërë të mundur qarkullimin e armëve në tregun e paligjshëm.
(Kosova Sot Online)
