Të gjitha partitë në garë për fitore por kush do të triumfojë më 28 dhjetor
Dje është tërhequr shorti për renditjen e subjekteve politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Këta do të jenë numrat:
Lëvizja Vetëvendosje- 116.
Partia Demokratike e Kosovës- 130.
Lidhja Demokratike e Kosovës- 123.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 129.
Nisma Socialdemokrate- 122.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, tha se do të angazhohen që të arrijnë një “fitore edhe më të madhe” në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
“Me numrin 116 bashkë me qytetarët angazhohemi për një fitore edhe më të madhe”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Paraprakisht, LVV-ja shkroi në Facebook se ajo “fitore më e madhe” u “duhet”.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, njëherit kandidati për kryeministër nga kjo parti ka njoftuar se PDK do të garojë në zgjedhjet e 28 dhjetorit me numrin 130.
Hamza është shprehur se numri 130 është ai i bashkimit për Kosovën.
‘’Është numri i stabilitetit, normalitetit dhe zhvillimit ekonomik. Është numri i drejtimit të sigurt dhe rrugës evropiane për vendin tonë. 130 është numri i fitores! PDK130’’, ka shkruar Hamza në Facebook.
Kryetari i LIdhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë.
Ai ka thënë se kjo listë është e atyre që besojnë në shtet, në ligj, në meritë dhe në të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
“Kjo është lista e të ardhmes sonë. Një kombinim i njerëzve të dëshmuar në profesionet e tyre, aktivistëve të palodhur të LDK-së, gjeneratës së re që kërkon hapësirë e përgjegjësi, dhe figurave që kanë ndërtuar institucione, ekonomi, arsim e siguri. Çdo emër në këtë listë qëndron mbi vlera; integritet, besim dhe shërbim ndaj qytetarëve”, ka thënë Abdixhiku.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka publikuar listën e partisë së tij me 110 kandidatë për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Krahas emrave të publikuar, Haradinaj ka deklaruar;
“Kosova sot ka nevojë për njerëz që i qëndrojnë vendit në krah, në çdo rrethanë. Ashtu siç edhe qytetari i Kosovës ka nevojë për përfaqësues të guximshëm dhe të pakompromis në mbrojtje të interesit publik”.
(Kosova Sot Online)
