Orav takon katër kryetarët serbë të komunave veriore
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka zhvilluar një takim me katër kryetarët e rinj të komunave veriore në Zveçan, duke përshëndetur dorëzimin pa probleme të qeverisjes lokale, një proces i cili, sipas tij, është realizuar plotësisht në përputhje me ligjin e Kosovës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Në një postim në x, Orav ka nënvizuar se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre lokale mbetet kyç për funksionimin demokratik të komunave dhe për sigurimin e stabilitetit në veri të vendit.
Ai gjithashtu ka ritheksuar rëndësinë e angazhimit konstruktiv nga të gjitha palët.
“Ritheksova nevojën për angazhim konstruktiv ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale, si dhe mbështetjen e BE-së për realizimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë, sipas Kushtetutës së Kosovës”, ka shkruar Orav.
(Kosova Sot Online)
