Berisha: Nuk ka gjë në botë që të mbyllë dosjen e Ramës!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e mbajtur sot në foltoren e Kuvendit, ka reaguar ndaj mungesës së kryeministrit Edi Rama në seancë, duke e cilësuar atë si shenjë frike dhe shmangie nga interpelancat e kërkuara, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Berisha deklaroi se ai vetë ka pasur gjithmonë “pasion të veçantë” për t’iu përgjigjur çdo interpelance gjatë kohës së tij në qeveri, ndërsa akuzoi mazhorancën se po përpiqet të justifikojë mungesën e Ramës.
“Ku e keni Ramën? Pas Lubisë, ku e keni? A e kuptoni që është bërë gaz?” - u shpreh Berisha, duke shtuar se kryeministri dhe ministrja nuk guxojnë të përballen me qytetarët dhe opozitën nga foltorja e parlamentit.
Ai akuzoi shumicën qeverisëse se ka humbur çdo funksion, ndërsa pretendoi se kryeministri shmang parlamentin për shkak të asaj që Berisha e quajti “dosje që nuk mbyllet”.
“Ju kot votoni, kot sillni ligje e buxhete. Ju keni marrë fund. Frika e tij ka kufi vetëm qiellin,” deklaroi kreu i PD-së, duke paralajmëruar se “beteja që po zhvillohet do të deshifrohet më vonë”.
Sipas Berishës, Rama nuk paraqitet në Kuvend sepse “nuk guxon të përgjigjet për interpelancat që i takojnë”, dhe më tej ai theksoi se asnjë zhvillim nuk do të arrijë ta “mbyllë dosjen” që, rëndon mbi kryeministrin.
FJALA E BERISHËS:
Në përgjigje të trillimit që bëri parafolësi që nuk jam paraqitur në seanca, kam pasur një pasion të veçantë për t’iu përgjigjur çdo interpelance që është bërë.
Dhe ky pasion nuk ndikohet as nga personi, as nga tematika.
Po ju nuk keni faj.
Ku e keni Ramën?
Ku e keni?
Pas Lubisë, ku e keni?
A e kuptoni që është bërë gaz?
Ku e keni?
A e kuptoni se ku jeni katandisur?
Nuk guxon me ardhë në parlament.
Ai dhe Lubia nuk guxojnë të dalin para shqiptarëve nga ky parlament.
Ju keni rënë, ju kot votoni, kot sillni ligje e buxhete, etj.
Ju keni marrë fund.
Frika e tij ka kufi vetëm qiellin.
Po zhvillohet një betejë, do ua deshifroj pak më vonë betejën që po zhvillohet.
Po gjë në botë që të mbyllë dosjen e tij nuk ka.
Prandaj nuk guxon të vijë t’u përgjigjet interpelancave.
(Kosova Sot Online)
