Merz: Trupat perëndimore mund të sprapsin forcat ruse pas armëpushimit

  • A.P /
  • 17 December 2025 - 10:05
Merz: Trupat perëndimore mund të sprapsin forcat ruse pas armëpushimit

Sipas garancive të sigurisë në rast të arritjes së armëpushimit, të cilat i janë ofruar Ukrainës nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, trupat paqeruajtëse në rrethana të caktuara do të mund t’i sprapsnin forcat ruse, tha në një intervistë kancelari gjerman, Friedrich Merz, duke shtuar se një gjë e tillë mbetet e largët, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

I vënë nën presion nga gazetarët për të dhënë hollësi rreth garancive të mundshme të sigurisë që janë përmendur nga Shtetet e Bashkuara në bisedimet e së hënës në Berlin me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, Merzi tha se garantuesit do të duhej t’i sprapsnin forcat ruse, nëse do të ndodhte ndonjë shkelje e kushteve të armëpushimit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ne do të siguronim një zonë të demilitarizuar mes palëve ndërluftuese dhe, që të jem shumë specifik, ne gjithashtu do të vepronim kundër depërtimeve dhe sulmeve përkatëse ruse. Ende nuk jemi atje” – tha kancelari gjerman.

“Fakti që amerikanët kanë dhënë një zotim të tillë – për ta mbrojtur Ukrainën në rast të një armëpushimi si të ishte territor i NATO-s – mendoj se ky është një pozicion i ri domethënës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – shtoi ai.

Rusia ende nuk është pajtuar për armëpushimin për të cilin ShBA-ja dhe Evropa thonë se do të ishte parakusht për ndonjë garanci sigurie ose për praninë e trupave perëndimore në terren në Ukrainë për ta ndihmuar përfundimin e luftës që nisi në shkurtin e vitit 2022.

Merzi tha më tej se beson që ka gjasa “50:50” për të siguruar një marrëveshje evropiane rreth përdorimit të aseteve të ngrira ruse për financimin e mbrojtjes së Ukrainës. Ai tha se është thelbësore që të bëhet një gjë e tillë, pasi Ukrainës do t’i nevojitej financim për të paktën dy vjet shtesë pas harxhimit të fondeve të tanishme evropiane në çerekun e parë të vitit të ardhshëm.

(Kosova Sot Online)