Kearns: Sanksionet ndaj Kosovës s’është dashur të vendosen kurrë
Deputetja britanike Alicia Kearns ka përshëndetur vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e një pjese të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, duke theksuar se ato nuk është dashur të vendosen kurrë dhe se kanë qenë që nga fillimi të padrejta, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Kearns ka bërë thirrje vazhdimisht edhe më herët, që të gjitha masat e mbetura të hiqen menjëherë, duke vlerësuar se ato dëmtojnë padrejtësisht Kosovën dhe pengojnë perspektivën e saj evropiane dhe euroatlantike.
Sipas saj, në vend të ndëshkimit të Kosovës, përpjekjet ndërkombëtare duhet të përqendrohen në forcimin e sigurisë rajonale dhe mbështetjen e institucioneve demokratike të vendit.
“Sanksionet ndaj Kosovës kanë qenë gjithmonë të padrejta. Çdo masë e mbetur në fuqi duhet të hiqet dhe përpjekjet duhet të përqendrohen në sjelljen para drejtësisë të Radoicicit dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe në sigurinë e përbashkët në të gjithë rajonin dhe një të ardhme euroatlantike për Kosovën”, ka shkruar ajo.
(Kosova Sot Online)
