Osmani: Kosova ka besim të plotë në administratën e Donald Trump
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një deklarim për media, pas takimit me zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau, gjatë qëndrimit të saj në Washington, tha se ka besim të plotë te presidenti Trump, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Osmani ia ka shprehur falënderimet e popullit të Kosovës për ligjin që sapo ka nënshkruar presidenti Trump, në të cilin përfshihet edhe Republika e Kosovës dhe jo vetëm kaq, por në veçanti thuhet se nuk do të ketë ndryshim të kufijve.
“Prandaj mbrohet integriteti territorial dhe sovraniteti i vendit tonë. Qartësohet se dialogu me Serbinë duhet të bazohet në njohje reciproke, përkrahet anëtarësimi ynë në NATO, si dhe investimet strategjike në fushën e ekonomisë. Diskutuam edhe për një sërë çështjesh të tjera, për të cilat është e domosdoshme të kemi koordinim të plotë dhe të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleati ynë më i rëndësishëm strategjik, dhe të njëjtën kohë për hapat përpara dhe veprimet që duhet t’i ndërmarrim, në mënyrë që dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rikthehet”, tha ajo.
E para e vendit tha se Kosova ka besim të plotë në administratën Trump.
“Jemi ndër një nga shtetet e para që kemi përkrahur një sërë veprimesh të ndërmarra nga presidenti Trump, kontributi i të cilit për paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin tonë është i domosdoshëm dhe ka qenë i vazhdueshëm”, tha ajo ndër të tjera.
Në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare që u miratua nga dy dhomat e Kongresit amerikan dhe u nënshkrua në ligj nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 18 dhjetor, SHBA-ja zotohet të vazhdojë mbështetjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e bazuar në njohjen e ndërsjellë, duke mos mbështetur shkëmbime territoriale, ndarje apo ndryshime të tjera të kufijve sipas linjave etnike në Ballkanin Perëndimor për zgjidhjen e konflikteve, dhe duhet t’i mbështesë demokracitë pluraliste në rajon si një mjet për të parandaluar rikthimin e konflikteve etnike.
(Kosova Sot Online)
