Abdixhiku: Kosova ka nevojë për këtë parti sot më shumë se kurrë

  • A.P /
  • 23 December 2025 - 15:05
Abdixhiku: Kosova ka nevojë për këtë parti sot më shumë se kurrë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar 36-vjetorin e themelimit, ndërsa kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar rrugëtimin historik të partisë si projekt i lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në një postim me rastin e përvjetorit, Abdixhiku ka theksuar se LDK-ja lindi në një periudhë represioni dhe errësire, duke u shndërruar në idenë më të madhe politike të Kosovës.

“36 vjet më parë, në një kohë represioni dhe errësire, lindi ideja më e madhe politike e Kosovës. Lindi Lidhja Demokratike e Kosovës, projekti i lirisë, i pavarësisë dhe i demokracisë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se LDK-ja nuk ishte vetëm një organizim politik, por një besëlidhje popullore dhe rruga e vetme drejt shtetit, e udhëhequr nga Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

“Nën udhëheqjen e atit themeltar të Republikës, Dr. Ibrahim Rugova, kjo ide u shndërrua në rezistencë paqësore, në organizim shtetëror dhe në aleancë me botën demokratike”, ka theksuar ai.

Duke nderuar strukturat dhe veprimtarët e LDK-së në të gjitha periudhat, Abdixhiku ka shprehur respekt të veçantë për ata që, siç u shpreh ai, “dhanë më të shenjtën për këtë shtëpi të demokracisë dhe për Republikën tonë”.

Kreu i LDK-së ka theksuar se në dekadën e katërt të ekzistencës së saj, përgjegjësia e partisë është më e madhe se kurrë, jo vetëm për fatin e LDK-së, por për të ardhmen e Kosovës.

“LDK ka qenë dhe mbetet parti e shtetit, jo e pushtetit. Parti e dorës së shtrirë, e bashkimit dhe e përgjegjësisë historike”, ka shkruar Abdixhiku.

(Kosova Sot Online)