SHBA nisin procedurë për heqjen e shtetësisë ndaj një të dyshuari
Ministria Amerikane e Drejtësisë ka njoftuar se ka paraqitur një padi civile për heqjen e shtetësisë amerikane ndaj Sead Miljkoviçit, i njohur edhe si Sead Dukiç, për shkak të fshehjes së identitetit të tij të vërtetë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Sipas autoriteteve amerikane, ndaj tij në Bosnje dhe Hercegovinë ishte lëshuar urdhër-arrest për dyshime për kryerjen e krimeve të luftës.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë së SHBA-së, Miljkoviçi është ish-pjesëtar i forcave të sigurisë së vetëshpallur të ashtuquajturës Krahinë Autonome e Bosnjës Perëndimore (APZB). Gjykata në Bosnje dhe Hercegovinë kishte lëshuar urdhër-arrest ndaj tij për krime lufte ndaj civilëve, pikërisht në kohën kur qeveria amerikane i kishte dhënë shtetësinë përmes procesit të natyralizimit.
Miljkoviçi ka hyrë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1996 dhe është natyralizuar si shtetas amerikan në vitin 2007. Megjithatë, sipas padisë, ai nuk i ka deklaruar autoriteteve amerikane të emigracionit se kishte përdorur më shumë se një emër, se kishte dhënë data dhe vende të ndryshme lindjeje në aplikime të ndryshme, si dhe se kishte deklaruar emra të ndryshëm për babanë dhe më shumë se një grua si bashkëshorte.
Urdhër-arresti i lëshuar më 23 janar 2007 nga autoritetet e Bosnje dhe Hercegovinës çoi më pas në shpalljen e një fletarresti të kuq nga Interpoli. Në të thuhet se më 18 qershor 1994, Miljkoviçi, si pjesëtar i forcave të sigurisë së APZB-së, dyshohet se ka keqtrajtuar fizikisht civilë që kundërshtonin qeverinë e kësaj strukture.
Sipas fletarrestimit ndërkombëtar, Miljkoviçi dhe bashkëpunëtorët e tij dyshohet se kanë rrahur 12 civilë dhe i kanë mbajtur të mbyllur për disa ditë në kushte çnjerëzore, pa qasje në dritë apo ujë. Deri më tani, ai nuk është paraqitur para gjykatës në Bosnje dhe Hercegovinë për t’u përballur me këto akuza.
“Administrata jonë nuk do të lejojë që persona të huaj të vijnë në këtë vend dhe të fshehin të kaluarën e tyre për të përfituar dhuratën e çmuar të shtetësisë amerikane,” deklaroi ndihmës-prokurori i përgjithshëm i SHBA-së, Brett A. Shumate, nga Departamenti Civil i Ministrisë së Drejtësisë.
Krahina Autonome e Bosnjës Perëndimore u shpall në vitin 1993 në zonën e Velika Kladushës dhe një pjesë të Krahinës së Cazinit nga biznesmeni kontrovers Fikret Abdiç, ndërsa u shfuqizua në vitin 1995.
(Kosova Sot Online)
