Abdixhiku: Shtëpia nuk goditet e braktiset në ditët më të vështira
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rezultateve zgjedhore, duke falënderuar mbi 126 mijë qytetarë të Kosovës që i besuan LDK-së votën e tyre, ndërsa ka pranuar se rezultati nuk ishte ai që partia kishte pritur, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Ju faleminderit nga zemra, të gjithë 126.102 qytetarëve të Kosovës që i besuan LDK-së në këto zgjedhje. Çdo votë e dhënë për ne është përgjegjësi, respekt dhe obligim për të ardhmen”, ka shkruar Abdixhiku në një postim në Facebook.
Ai theksoi se, ndonëse rezultati ishte zhgënjyes për LDK-në, vendimi i qytetarëve duhet respektuar pa asnjë rezervë.
“Nuk është e tepër të përsëritet se rezultati zgjedhor nuk ishte ai që pritëm; larg madje. Por është verdikt i qytetarëve të vendit tonë dhe para tij përulemi me respekt të plotë”, u shpreh ai.
Abdixhiku ka nënvizuar se LDK nuk i shmanget përgjegjësisë dhe reflektimit, duke e cilësuar këtë si dallim thelbësor të partisë që drejton.
“LDK e asnjë individ nuk i shmanget asnjë përgjegjësie dhe asnjë reflektimi; kjo na dallon”, ka deklaruar kreu i LDK-së.
Duke iu referuar debateve të fundit brenda dhe jashtë partisë, Abdixhiku ka qenë i prerë se vendimmarrja për të ardhmen e LDK-së nuk do të bëhet përmes reagimeve emocionale apo presioneve publike.
“LDK është parti institucionale. Çështjet tona nuk zgjidhen në statuse emocionale, as në klithma sociale, e as në debate të çastit”, ka theksuar ai.
Sipas tij, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, do të mblidhet Kryesia e LDK-së dhe më pas do të organizohet Kuvendi i LDK-së, ku anëtarësia do të vendosë për drejtimin e mëtejmë të partisë.
“Në Kuvend, në organet legjitime të partisë, nga anëtarësia e partisë, vendoset fati i LDK-së”, shkroi Abdixhiku.
Në reagimin e tij, ai pati edhe një mesazh për kritikët e LDK-së jashtë partisë, duke thënë se sulmet ndaj saj nuk kanë pasur asnjëherë qëllime të mira.
“LDK-ja nuk ndërtohet me sulme nga jashtë, e as me gëzim për humbjen e saj. LDK është më e madhe se çdo individ. Qëllimet e tyre nuk kanë qenë kurrë të mira, as për LDK-në e as për arritjen e një rezultati më të mirë zgjedhor. LDK-ja nuk ndërtohet me sulme nga jashtë, e as me gëzim për humbjen e saj. LDK është më e madhe se çdo individ, por edhe më e fortë se çdo zë që synon ta dobësojë. Ne do ta bëjmë fatin tonë, me qetësi, me ndershmëri dhe me përgjegjësi; siç i ka hije kësaj shtëpie politike e cila nuk braktiset e as nuk goditet në ditët e saja më të vështira”, ka shkruar ai.
Në fund, Abdixhiku u zotua se LDK do ta ndërtojë rrugën e saj me qetësi, ndershmëri dhe përgjegjësi, duke falënderuar sërish votuesit dhe mbështetësit e partisë.
“Besimi juaj mbetet detyrimi ynë më i madh”, përfundoi ai.
(Kosova Sot Online)
