Zelensky thirrje SHBA-së të reagojë pas sulmeve nga Rusia
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje këtë të premte për një “përgjigje të qartë” nga bashkësia ndërkombëtare pas sulmeve masive ruse në Ukrainë gjatë natës, në veçanti me një raketë hipersonike Oreshnik, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Një përgjigje e qartë nga bashkësia ndërkombëtare është e nevojshme. Para së gjithash, nga pala amerikane, mesazhet e së cilës po perceptohen me kujdes nga Rusia”, tha Zelensky në X, duke kërkuar që Rusia të marrë mesazhin se “është detyra e saj të përqendrohet në diplomaci”.
Sulmi rus gjatë natës në Ukrainë dëmtoi 20 pallate dhe ambasadën e Katarit në Kiev, tha gjithashtu presidenti ukrainas në një postim në mediat sociale.
“Ndërtesa e ambasadës së Katarit u dëmtua nga një dron rus”, si dhe 20 pallate në kryeqytet, vuri në dukje ai, duke konfirmuar numrin e të vdekurve në Kiev në katër.
Midis viktimave është një mjek i cili u vra në një sulm të dyfishtë në një ndërtesë apartamentesh në lagjen Darnitsky, në pjesën juglindore të qytetit, tha Ministri i Brendshëm Igor Klimenko .
“Armiku goditi përsëri një ndërtesë shumëkatëshe, edhe kur mjekët dhe personeli mjekësor ishin tashmë duke punuar atje”, vuri në dukje ministri në një postim në mediat sociale.
Pesë punonjës shpëtimi, katër anëtarë të stafit mjekësor dhe një oficer policie u plagosën në të njëjtën vendngjarje, shtoi ministri i brendshëm.
Një person është gjithashtu i zhdukur, tha Klimenko, duke shtuar se sulmi la “të paktën 25” persona të plagosur në Kiev.
(Kosova Sot Online)
