Pasi u tha se nuk do të jetë më kryetar, reagon Bekë Berisha

  • A.P /
  • 17 January 2026 - 21:28
Pasi u tha se nuk do të jetë më kryetar, reagon Bekë Berisha

Pasi u raportua se nuk do të jetë më kryetar i Sigal Prishtinës, ka reaguar Bekë Berisha, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Berisha ka konfirmuar se, në bashkëpunim me tifo-grupin “Plisat” dhe kryesinë e klubit, do të emërohet një ushtrues detyre i kryetarit, deri në zgjedhjen e një drejtuesi të ri.

Në konferencën për media, ai theksoi se angazhimet e tij politike e bëjnë pothuajse të pamundur ushtrimin e kësaj detyre, të cilën – sipas tij – e kishte pranuar me shumë vullnet.

“Do të marrim vendimin nga aspekti ligjor për emërimin e një ushtruesi detyre të presidentit të klubit. Ky emër do të vijë si propozim nga grupet e tifozëve dhe dashamirët e klubit, të cilët dëshirojmë t’i respektojmë. Unë, në koordinim me klubin, do ta emëroj ushtruesin e detyrës deri në momentin kur të jap betimin si deputet”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se klubi duhet t’u përkasë tifozëve dhe dashamirëve të tij, ndërsa vetë e ka të pamundur ta udhëheqë klubin në rrethanat aktuale.

Në javët e fundit, klubi ka qenë përballë pakënaqësive të tifo-grupit “Plisat”, të cilët kanë kërkuar ndryshime në menaxhimin e klubit, duke e akuzuar kryesinë për keqmenaxhim. Së fundmi, takimi me dyer të mbyllura mes “Plisave” dhe zyrtarëve të klubit ka vazhduar dhe pritet të emërohet një kryetar i përkohshëm.

(Kosova Sot Online)