Spanja dërgon makineri të rëndë për të nxjerrë trupa nën mbetjet e trenave

  • A.P /
  • 20 January 2026 - 14:45
Spanja dërgon makineri të rëndë për të nxjerrë trupa nën mbetjet e trenave

Shërbimet e emergjencës në Spanjë kanë përdorur vinça të martën për të hyrë në vagonët më të goditur të një aksidenti me tren me shpejtësi të lartë, ndërsa përpiqeshin të nxirrnin trupat e personave ende të zhdukur, nga katastrofa që ka shkaktuar të paktën 41 viktima, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Spanjollët janë të tronditur pas aksidentit të parë vdekjeprurës në historinë e rrjetit të gjerë hekurudhor me shpejtësi të lartë të Spanjës, i cili ka ndodhur të dielën në mbrëmje pranë Adamuzit, në provincën e Kordobës, rreth 360 kilometra në jug të Madridit.

Ekspertët thonë se një nyje e dëmtuar e shinave mund të ketë shkaktuar daljen e trenit nga shinat, e cila çoi në përplasjen mes dy trenave.

Një tjetër trup është gjetur gjatë natës brenda mbetejeve të trenit të parë që doli nga shinat, i cili i përkiste konsorciumit privat Iryo, duke e çuar numrin e viktimave në 41, njoftuan autoritetet të martën.

Të paktën tre trupa besohet se janë ende të bllokuar brenda trenave, ka thënë ministri i Brendshëm Fernando Grande-Marlaska për transmetuesin shtetëror TVE vonë të hënën.

Ai ka thënë se policia kishte marrë 43 njoftime për persona të zhdukur, që përputhen me numrin e përkohshëm të viktimave, por ka paralajmëruar se shifra përfundimtare nuk do të konfirmohej derisa ekipet e shpëtimit të ngrinin vagonët e dalë nga shinat.

Përplasja ka ndodhur në një zonë kodrinore me ullishte, në shpatet e një vargmali. Vendi i aksidentit mund të arrihet vetëm përmes një rruge me një korsi, gjë që e ka bërë të vështirë hyrjen e mjeteve të rënda për ekipet e shpëtimit.

(Kosova Sot Online)