Kurti: Ne e kemi trashëguar një situatë ku korrupsioni ishte endemik

  • A.P /
  • 21 January 2026 - 08:30
Kurti: Ne e kemi trashëguar një situatë ku korrupsioni ishte endemik

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se brenda kabinetit të tij qeveritar ka “rezistencë” për të mos “u kthyer” në korrupsion, për të cilin u ankua se e ka trashëguar nga qeverisjet e kaluara, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në një bisedë me ish-ministrin britanik Rory Stewart në Shtëpinë e Kosovës në Davos, Kurti i tha atij se e ka të rëndësishme që ministrave të tij të mos i shkojë mendja në këtë drejtim.

“Ne e kemi trashëguar një situatë ku korrupsioni ishte endemik. Ka rezistencë e qëndrueshmëri të fortë të njerëzve që të mos kthehen kurrë më aty. Pra, shpresa jonë janë njerëzit, që njerëzit do ta njoftojnë sistemin dhe publikun për korrupsionin që e shohin. Kjo është e para. E dyta është se ne duhet të udhëheqim me shembuj. Është shumë e rëndësishme që askush, absolutisht askush, brenda kabinetit ministror, të mos ketë imagjinatën më të vogël për t’u përfshirë në korrupsion.

Ai tha se për këtë çështje Kosova është një vend i monitoruar nga komuniteti ndërkombëtar, por edhe “nga vetë sistemi ynë”.

“Unë shpresoj që llogaridhënia do të zë vend dhe sinjalizuesit të na bëjnë të shurdhër, ndërsa fishkëllojnë nëse ndodh diçka e ngjashme me korrupsionin”.

Por, pavarësisht deklaratave të Kurtit përpara një publiku të vogël në Shtëpinë e Kosovës në Davos, në raportin e fundit të Komisionit Europian, Kosova kritikohet për mosluftim të korrupsionit.

“Kosova është midis një faze të hershme përgatitjeje dhe një niveli të caktuar përgatitjeje në luftën kundër korrupsionit dhe ka bërë përparim të kufizuar”, thuhet në këtë raport.

Aty Kosova kritikohet se ende nuk ka një kornizë strategjike në fushën e luftës kundër korrupsionit.

“Pavarësisht angazhimit të theksuar politik për të forcuar masat kundër korrupsionit, nuk ka një qasje koherente ndaj saj”.

Komisioni po ashtu tha se Kosova duhet të zbatojë legjislacionin ekzistues kundër korrupsionit dhe të miratojë një strategji kombëtare dhe plan veprimi kundër korrupsionit për vitet 2025-2028, në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira europiane

“Kosova duhet të vazhdojë të forcojë cilësinë e hetimit në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe të rrisë kapacitetin e Njësisë Speciale Hetimore të policisë dhe të sigurojë që ajo të bashkëpunojë në mënyrë efektive me Zyrën e Prokurorisë Speciale”.

Nga kabineti qeveritar i Kurtit, dy ministra kanë aktakuzë, ndërsa disa të tjerë janë hetuar.

(Kosova Sot Online)