Petkoviq e përshkruan Kosovën si 'krijim të improvizuar dhe të dështuar'
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, theksoi se Serbia, përkundër refuzimit zyrtar për ta njohur Kosovën, e kupton më mirë se kurrë që vendi ynë është shtet i pavarur.
Kurti identifikoi gjithashtu Federatën Ruse si një kontribuues kryesor të destabilitetit në rajon përmes ndikimit të saj mbi Serbinë.
Ai theksoi se nga katër fqinj të Kosovës, tre e njohin shtetin, ndërsa Serbia mbetet e vetmja që nuk e ka bërë këtë.
“Realiteti ka ndryshuar shumë dhe ëndrra e Serbisë për kthim në Kosovë duhet të shuhet”, u shpreh Kurti.
Pas këtyre deklaratave, Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, reagoi me komente njëanshme, duke tentuar të delegjitimojë shtetin dhe institucionet e Kosovës.
Ai e përshkroi Kosovën si “krijim të improvizuar dhe të dështuar” që pretendon se nuk njihet nga më shumë se gjysma e botës.
Ndërkaq, Bahamet – vendi ishullor i Oqeanit Atlantik, u bë vendi 121-të i botës që e njeh Kosovën.
Deklaratat e Petkoviq pasqyrojnë një tendencë të vazhdueshme për të prodhuar narrativa negative mbi pavarësinë e Kosovës dhe marrëdhëniet ndëretnike në veri, duke qenë pjesë e strategjisë së Beogradit për të mbajtur presion mbi institucionet e vendit dhe për të minuar integrimin e komunitetit serb në strukturat shtetërore.
Duhet theksuar se Serbia, në mënyrë të vazhdueshme, përdor deklarata të qëllimshme dhe të tendencioze kur bëhet fjalë për Kosovën.
(Kosova Sot Online)
