Prokuroria me detaje për rastin ku djali vrau nënën

  • A.P /
  • 21 January 2026 - 10:15
Prokuroria me detaje për rastin ku djali vrau nënën

Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në fshatin Restelicë të Komunës së Dragashit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Prokuroria Themelore në Prizren, përmes një komunikate për media, ka thënë se djali me inicialet F.B e ka vrarë nënën e tij T.B, duke ushtruar dhunë fizike në shtëpinë e tyre në Restelicë.

“Pas pranimit të informatës në orët e hershme të mëngjesit, në vendin e ngjarjes ka dalë prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, krim-teknikën dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), me qëllim të zhvillimit dhe përfundimit të procedurave hetimore në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit viktima është dërguar për obduksion në IML”, ka njoftuar Prokuroria.

Siç ka njoftuar Prokuroria, i dyshuari ka pasur çrregullime mendore dhe ka qenë i përfshirë në tri raste penale të dhunës në familje, të trajtuara nga Prokuroria e Prizrenit.

“Një (1) rast është trajtuar gjatë vitit 2024, ndërsa dy (2) raste gjatë vitit 2021. Për këto raste, Prokuroria ka ndërmarrë veprimet ligjore përkatëse, ka ngritur aktakuza dhe për të njëjtat raste janë nxjerrë aktgjykime dënuese. Prokuroria Themelore në Prizren është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të vdekjes”, ka njoftuar Prokuroria në Prizren.


(Kosova Sot Online)