Agjentët rusë në Mal të Zi synojnë arrestimin e Gjukanoviqit
Analisti politik malazez Danilo Kaleziq ka paralajmëruar se struktura të lidhura me Rusinë në Mal të Zi po përpiqen të realizojnë arrestimin e ish-presidentit Milo Gjukanoviq, duke e cilësuar një skenar që mund të ketë pasoja të mëdha politike për vendin.
Në një intervistë për mediat rajonale, Kaleziq tha se partia Demokratët e Malit të Zi, e drejtuar nga zëvendëskryeministri Aleksa Beçiç, përbën rrezikun më të madh të sigurisë për shtetin, duke pretenduar se kjo forcë politike ka lidhje të ngushta me Moskën dhe Beogradin.
Sipas tij, nëse kjo parti vazhdon të kontrollojë sektorët kyç të sigurisë, përfshirë Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes, Policinë dhe Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, arrestimi i ish-presidentit Gjukanoviq mund të bëhet realitet.
“Kur flitet për ‘superfinalen’, në fakt bëhet fjalë për arrestimin e Milo Gjukanoviqit. Një fotografi e tij me pranga në duar do të ishte kulmi i një fushate shumëvjeçare për kriminalizimin e pavarësisë së Malit të Zi”, tha Kaleziq.
Ai theksoi se një veprim i tillë nuk do të kishte vetëm dimension juridik, por edhe simbolik, pasi Gjukanoviq konsiderohet figurë kyçe e proceseve që çuan në pavarësinë e Malit të Zi në vitin 2006, anëtarësimin në NATO dhe orientimin pro-perëndimor të vendit.
“Arrestimi i tij do të ishte përpjekje për të delegjitimuar vetë projektin e shtetit të pavarur të Malit të Zi. Nëse simboli i këtij procesi shpallet kriminal, atëherë edhe vetë pavarësia paraqitet si projekt kriminal”, u shpreh analisti.
Kaleziq paralajmëroi se një skenar i tillë do të ishte pjesë e një strategjie më të gjerë të ndikimit rus në rajon dhe se reagimi i partnerëve perëndimorë mund të jetë vendimtar për ta penguar atë.
“Një qëndrim i qartë i partnerëve perëndimorë, të cilët e kuptojnë se çfarë mund të prodhojë një aventurë e tillë politike, mund ta ndalë planin e agjenturës ruse në Mal të Zi”, përfundoi ai.
(Kosova Sot Online)
