Haziri: Ne jemi ftu me fol për President, kemi përfunduar duke folur për qeveri

  • A.P /
  • 21 April 2026 - 15:15
Haziri: Ne jemi ftu me fol për President, kemi përfunduar duke folur për qeveri

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se procesi i diskutimeve për presidentin është devijuar nga qëllimi fillestar, duke theksuar se në vend të kësaj teme, fokusi është zhvendosur tek çështjet e qeverisë.

Sipas tij, qëndrimi i LDK-së për këtë proces ka qenë i qartë që nga fillimi.

“Kryetari i LDK-së e ka bë të qartë qëndrimin e LDK-së. Ne jemi ftu’ me fol’ për President, kemi përfunduar duke folur për qeveri.

Përderisa para disa javësh është thanë që Kuvendi konstituohet, qeveria ndërtohet, bëhet, dhe veprimet e tjera me hapa të caktum dhe të imponum nga kryetari i Vetëvendosjes kanë ndodhë, janë bë fakt, janë kry’. Dhe lëvizja e djeshme që t’i ofrohet LDK-ja për qeverisje, për ne ka qenë çështje që nuk e kemi pritë, nuk e kemi kërku’ dhe kemi definu’ politikat tona.

Jemi të interesum, kemi qenë të interesum, mbetemi të interesum me bë vendin funksional duke i dhanë President, por jo duke kriju’ mundësi që të zgjatet qeverisja e Kosovës edhe me President. Presidenti është përfaqësuesi më i lartë, nuk është pushtet, nuk është institucion i cili ka pushtetin e ndamë e të tjerë, por përfaqëson qytetarët dhe garanton funksionimin e shtetit dhe mbron interesin e qytetarëve. Kjo është ajo si e shohim rolin e Presidentit e jo si zgjatje të qeverisë dhe të agjendave politike që zoti Kurti i ka sot“, tha Haziri.

Sa i përket deklaratave të Kurtit rreth ofertës së LDK-së ai thotë se janë bërë lojëra politike.

“Kjo në radhë të parë është lojë fjalësh, që nuk pasqyron realitetin. Me pasë qenë ashtu, pse është dashtë me u thirrë në takim? Me vetë faktin që ne jemi zgjidhja, jemi ftu’ dhe ne jemi tregu’ pragmatikë, jemi tregu’ bashkëpunues dhe kemi kooperu’, kemi bashkëpunu’ deri në fund me i dhanë vendit President. As kemi thanë që jemi meritorë me u ftu’, as kemi kërku’ për t’u ftu’. Ne i kemi u përgjigj një ftese që të gjejmë një rrugë të përbashkët për me i dhanë vendit President të Republikës. Tani loja e numrave, e rënditjeve, kalkulimeve, është lojë politike dhe kjo qasje, kjo mendësi, Kosovën po e mban në qarkun e mbyllur të krizave politike tash e dy vjet e gjysmë së paku, dhe po paralajmëron krizë të re. Kriza e Presidentit, Kosovën e çon në dështim të Kuvendit, dështimi i Kuvendit janë zgjedhjet e reja dhe prapë do të rikthehemi në kërkesën që qytetarët me definu’ dhe qytetarët me vendosë“, u shpreh ai.

(Kosova Sot Online)