Një incident i rëndë ka ndodhur brenda Qendrës së Paraburgimit

  • A.P /
  • 19 May 2026 - 09:15
Një incident i rëndë ka ndodhur brenda Qendrës së Paraburgimit

Një incident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm brenda Qendrës së Paraburgimit në Pejë, ku një i paraburgosur dyshohet se ka sulmuar fizikisht disa zyrtarë korrektues dhe ka kanosur një tjetër.

Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Kastriot Grapcin, i cili dyshohet se është bërë agresiv brenda objektit korrektues pasi kishte kërkuar të dërgohej te mjeku.

Sipas deklarimeve të zyrtarëve korrektues, atij i ishte thënë se duhej të priste ardhjen e mjekut dhe gjatë shoqërimit drejt krahut ku ndodhej qelia e tij, kishte nisur të fyejë dhe kërcënojë stafin korrektues.

Situata më pas ka eskaluar brenda zyrës së mbikëqyrësve, ku i dyshuari dyshohet se ka kapur për fyti njërin nga zyrtarët korrektues.

Pasi është larguar prej tij, ai ka tentuar të largohet me vrap nëpër shkallët e objektit, por është ndaluar nga një tjetër zyrtar korrektues, të cilin dyshohet se e ka goditur me grusht në fytyrë.

Gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij, lëndime kanë pësuar tre zyrtarë korrektues – njëri në fytyrë, tjetri në gjoks dhe një tjetër në pjesën e fytit.

Të lënduarit kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, hetuesit e stacionit dhe Hetimet Rajonale.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Kanosje”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

(Kosova Sot Online)