Çfarë roli pati Abdullah Prapashtica në demonstratat e vitit 1981?

Çfarë roli pati Abdullah Prapashtica në demonstratat e vitit 1981?
  • 04 October 2017 - 08:32

SHKRUAN: IBRAHIM KELMENDI

PKMLSHJ-ja e Abdullah Prapashticës - realitet ose sajesë komplotiste (?) (1)

Sipas informacioneve që kanë publikuar, ai dhe dy vartësit e përhershëm të tij, Osman Osmani e Faton Topalli, njëherësh me lidhje farefisnore, në vitin 1975 kadeti adoloshent Abdullah Prapashtica duhet të ketë themeluar "organizatën ilegale". Atë organizatë ai e avancon në "parti" në verën e vitit 1978

Për ata që nuk kanë informacion për Abdullah Prapashticën dhe PKMLSHJ, po i ofroj disa të dhëna telegrafike: Abdullah Prapashtica është i lindur më 24 mars 1957, në Prishtinë. Pasi ka mbaruar shkollën 8-vjeçare në Prishtinë, babai i tij (korrier i letrave zyrtare në Komunë të Prishtinës) e ka dërguar në Akademinë speciale për profesionalizimin e oficerëve të shërbimeve sekrete, në Novi Sad. Nuk kam informacion nëse ajo akademi ishte federative ose republikane (e Serbisë). Në vitin 1978, Abdullah Prapashtica duhet të jetë punësuar në UDB të Prishtinës, pasi ka mbaruar Akademinë në Novi Sad dhe studimet në Akademinë përkatëse në Beograd. Në vitin 1979 emërohet shef i Drejtorisë së UDB-së për mbikëqyrje të Universitetit të Prishtinës. Sipas informacioneve që kanë publikuar ai dhe dy vartësit e përhershëm të tij, Osman Osmani e Faton Topalli, njëherësh me lidhje farefisnore, në vitin 1975 kadeti adoloshent Abdullah Prapashtica duhet të ketë themeluar "organizatën ilegale". Atë organizatë ai e avancon në "parti" në verë të vitit 1978. Mbledhja qenkësh mbajtur në shtëpinë së tij. Pjesëmarrës: Abdullah Prapashtica, Osman Osmani, Rexhep Maqedonci, Adem Prapashtica, Nusret Ahmeti, Adem Dervisholli, Kadri Cakiqi, Skënder Ibishi, Faton Topalli dhe Lutfi Maqedonci (roje gjatë mbajtjes së mbledhjes) [sipas hetimeve të Sh.S.Sh. (në vazhdim akronimi famoz UDB), protokolluar më 11 maj 182, nr. 1323, dërguar Prokurorisë së Prishtinës, për procedim të mëtejmë]. 

Prapashtica thirret edhe në aktgjykime të shumë vetave që nuk janë dënuar fare si anëtarë të asaj "partie" 

Partisë i vë emër pompoz: Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi. Në prill 1981, Abdullah Prapashtica duhet të ketë "dezertuar" nga UDB-ja, për ta komplotuar edhe emigracionin patriotik, siç i ka komplotuar demonstratat në Prishtinë. Më 20 nëntor 1981 duhet të jetë takuar me kolegun Sabri Novosella, por ai UDB-ash konspirativ, për t'i bashkuar sajesat e tyre virtuale e komplotiste - PKMLSHJ dhe LNÇKVJSH. Më 17 shkurt 1982 simulojnë "bashkimin" e tyre në LR(S)SHJ (Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi. Në verë të vitit 1983, për shkak të konfliktit me "krahun" e Sabri Novosellës, "krahu" i Abdullah Prapashticës përjashtohet edhe nga ajo sajesë komplotiste. Nga viti 1983-1998 ka "ngri" veprimtarinë. Në vitin 1998 marioneta Azem Syla e ka angazhuar si "këshilltar" dhe në "shtabin e UÇK-së" në Tiranë. Nga hulumtimet me rezulton se, në fakt, ajo "parti" (PKMLSHJ) përbëhej vetëm nga tre veta, që ishin A-Zh-ja e saj. Të tjerët duhet të kenë qenë pothuajse vetëm viktima. Për argumentimin e ekzistencës së "partisë", treshja ofron si burim kryesisht aktakuza dhe aktgjykime të dhjetëra ish-të burgosurve politikë, të burgosur e të gjykuar gjatë viteve 1981-82. Bile Abdullah Prapashtica thirret edhe në aktgjykime të shumë vetave që nuk janë dënuar fare si anëtarë të asaj "partie". 

Përgatitja për organizimin e demonstratave

Që 36 vjet, ish-UDB-ashi Abdullah Prapashtica nuk ka reshtur së propaganduari autorësinë e tij monopoliste për demonstratat e Pranverës së vitit 1981. Këtë mashtrim ai mundohet ta imponojë përmes PKMLSHJ-së. Kësaj radhe Abdullah Prapashtica ka publikuar kujtime, të shoqëruara me interpretime, në portalin zviceran "prointegra" (ku është i angazhuar vartësi i tij, Osman Osmani), me titull: NATA MË E GJATË MES 25 E 26 MARSIT 1981 - KUR U NDANË DY EPOKA HISTORIKE! Në vazhdim po përzgjedh dhe po komentoj disa fragmente. Për të argumentuar planifikimin afatgjatë të PKMLSHJ-së, për demonstratat e Pranverës '81, Abdullah Prapashtica shkruan: "Udhëheqja e KSA e Kosovës dhe Udhëheqja Federale e kanë ditur se demonstratat me këtë kërkesë (për Republikë-shën. im) do të ndodhin. Sepse ata kanë qenë të njoftuar me shkrim nga PKMLSHJ shumë kohë para se ato të ndodhin." Pasojnë rrëfimet se udhëheqësve më të lartë të LKJ ata u kanë dërguar një mori "dokumentesh" të PKMLSHJ-së. Abdullah Prapashtica: "Udhëheqja e PKMLSHJ-së e kishte vlerësuar situatën dhe kishte kërkuar që kërkesa për Republikën e Kosovës të realizohet sa ishte Titoja gjallë, sepse ne e dinim se çka po përgatitet në Beograd pas Titios! Por, marrja e vendimit definitiv për fillimin e përgatitjeve të organizimi të demonstratave me kërkesë për Republikën e Kosovës së tërësishme u mor më 10 dhjetor 1980, me përcaktim kohor që ato të ndodhin gjatë vitit 1981, pa u caktuar data konkrete! Vendimin me shkrim në formë të dekretit e nënshkroi sekretari politik, ku për Organizim të Demonstratave ngarkoheshin sekretari organizativ dhe sekretari operativ i udhëheqjes së Organizatës së PKMLSHJ-së." Ndonjë procesverbal ose dëshmi tjetër se kur, ku, si, nga kush janë marrë këto vendime, Abdullah Prapashtica nuk ka prezantuar asnjëherë. Ngjan që Abdullah Prapashtica të ketë qenë, atëherë dhe tani, tejet prepotent, duke lëshuar dekrete si "sekretar politik". Në ndonjë shkrim tjetër ai ka prezantuar veten si kryetar! Abdullah Prapashtica: "Nga prizma e rendit politik e juridik të ish-RSFJsë, kjo kërkesë për Republikën Shqiptare të Kosovës nuk vinte në kundërshtim me sistemin, politikën dhe me ligjet në fuqi!" 

Ekipi për organizimin e demonstratave

Por, vetë emri i "partisë" bie ndesh me sistemin dhe politikën e ish-RSFJ-së, sepse subjekti që ushtronte pushtet monist, diktatorial, quhej Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, ndërsa simulimi i Abdullah Prapashticës quhej ekstra: "parti komuniste", bile edhe "marksiste-leniniste". Abdullah Prapashtica: "Në mbrëmje rreth orës 19.00, për shkak të ushqimit të dobët dhe për shkak të parregullsive të tjera në ambientet studentore, shpërtheu spontanisht revolta në Mensën e Studentëve." No coment! Më ngjan informim korrekt. Abdullah Prapashtica: "Meqë isha bartës i Resorit të SHSSH (Shërbimit të Sigurimit Shtetëror) për Universitetin, shkova në zyrën time dhe mora në telefon e bisedova me drejtorin e Drejtorisë të Regjionit të Prishtinës për SHSSH, Hasan Mehmetin. Ai kërkoi nga unë që të njoftoj personalisht kryetarin e LKJ-së për Prishtinën, Asllan Fazliun. Shkova në Lagjen e Vreshtave, në shtëpinë e tij, diku rreth orës 20:00, e njoftova mbi ngjarjen dhe ia përcjella porosinë e Hasan Mehmetit, që duhet të mblidhet Kryesia e Komitetit Komunal të Prishtinës, për ta përcjellë situatën!" Informim konkret se si ka funksionuar ai sistem monist "komunist", respektivisht, kuislingët shqiptarë të atij pushteti. Pra, kryeshefi i UDB-së së Prishtinës, përmes Abdullah Prapashticës, i "rekomandon" kryetarit të Prishtinës, Asllan Fazliu, për të thirrur mbledhjen e Kryesisë së KK në atë kohë. Nuk ngjan të ketë ndodhur ashtu, por Abdullah Prapashtica jeton për ta prezantuar rolin e tij si shumë të madh. Abdullah Prapashtica: "Pastaj u ktheva te protestuesit. Ishin diku rreth 300 veta. Kryesisht studentë nga vendet e tjera, jashtë Prishtinës, e që banonin në Qendrën e Studentëve. Atyre, gjatë marshimit, iu bashkëngjitën edhe disa dhjetëra veta nga qyteti. Mes tyre edhe një ekip i Shtabit për Organizimin e Demonstratave i Organizatës së PKMLSHJ, me kërkesë për Republikën e Kosovës, ndër të cilët Adem Prapashtica (student me korrespondencë pranë Fakultetit Juridik), Faton Topalli, Fatmir Grajqevci e disa të tjerë. Ata duhej vetë ta vlerësonin situatën dhe, nëse e shohin të mundshme, të lansojnë kërkesën për krijimin e Republikës Shqiptare të Kosovës së tërësishme!" Uroj që Abdullah Prapashtica të ofrojë ndonjëherë edhe emrat e tjerë të pjesë- tarëve të atij "shtabi", meqë këta tre ishin vetëm "një ekip".

NESËR • Çfarë tha Ali Lajçi para studentëve protestues në Prishtinë? • Kush nxiti revoltë te protestuesit, të cilët filluan t'i thyenin gjithë xhamat? • Çfarë thotë A. P. për Enver Hadrin, që jetonte në Bruksel? 

(Kosova Sot)