Krimi i dekadës kundër Telekomit nga oligarkët Devolli, teston pavarësinë e drejtësisë

Krimi i dekadës kundër Telekomit nga oligarkët Devolli, teston pavarësinë e drejtësisë

Gani Qarri

  • 22 March 2022 - 07:40

Shkruan: ANALISTI – Gani Qarri 

Pikërisht tani është testi më serioz i gjyqësorit të Kosovës, për ta provuar drejtësinë sipas ligjit dhe kushtetutës dhe shpëtuar Telekomin e Kosovës nga skenari i zhvatjes me qëllim të falimentimit nga  Devollët.  Kështu që tani është edhe rasti vendimtar për ta  fituar  betejën ndaj  zhvatëseve dhe grupeve kriminale të interesit që kanë pas vetëm një qëllim: vjedhjen e buxhetit, shkatërrimin e pasurisë së qytetarëve, fundosjen dhe falimentimin e Telekomit të Kosovës dhe largimin nga vendet e punës të punëtoreve të kësaj kompanie, dikur ndër më profitabilet, dhe kontribuese e rëndësishme në mbushjen e buxhetit të shtetit.

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, është momenti i duhur që pikërisht tani, drejtësia e kapur nga SHIK-u dhe klani PRONTO, të shkëputet nga këto struktura dhe ta jap gjykimin e drejtë e meritor lidhur me aferën e dekadës, kontestin në mes të Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile të Blerim Devollit. Madje me vendimiin e Gjykatës së  Apelit e cila  ka miratuar ankesën e Telekomit të Kosovës, duke e anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe kthyer atë  në rigjykim- kontestin me “Dardafone”të ndërmerren masat e nevojshme ligjore kundër manipuluesve të të gjitha ngjyrave. 

Lajmi për këtë vendim është  konfirmuar nga Sindikata e punëtorëve të Telekomit, përmes një komunikate për medie, në të cilën thuhet se aprovohet si e themeltë ankesa e të autorizuarit të debitorit “Telekomi i Kosovës” sh.a, me seli në Prishtinë, anulohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, PPP.nr.1486/19 i datës 06.07.2020 dhe çështja i kthehet të së njëjtës gjykatë në procedim të serishëm. Vendimi i Apelit vjen pasi Gjykata Kushtetuese, më 17 dhjetor 2021, ka vërtetuar se Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, kishin shkelur barazinë ndaj debitorit Telekom, pasi Gjykata Themelore kishte nxjerrë vendim në favor të Dardafon, pa pritur përgjigjet dhe argumentet e Telekom, andaj, rastin përmbarimor të “Telekomit” e ktheu në rivendosje në Apel. 

Gjykata Kushtetuese konstatoi se aktvendimi i Gjykatës Themelore ishte nxjerrë po në ditën kur “Telekomi” kishte pranuar dokumentet dhe papritur përgjigjen përkatëse të tij. Kurse Kushtetuesja kishte arsyetuar se edhe Gjykata Supreme, e veçanërisht Gjykata e Apelit, edhe pse kishte “juridiksion të plotë” për të vendosur lidhur me rastin, duke përfshirë kompetencën për të korrigjuar të metat e procedurës së ndjekur në Gjykatën Themelore, kishin dështuar të adresojnë të njëjtat, duke mos rikuperuar për pasojë, cenimin e parimit të “barazisë së armëve”. 

“Rrjedhimisht dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se, Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme dhe Aktvendimi i Gjykatës së Apelit, janë nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6  të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke e kthyer të njëjtin për rivendosje në Gjykatën e Apelit, marrë parasysh që kjo e fundit, siç është sqaruar në Aktgjykim, ka “juridiksion të plotë” për të adresuar të metat procedurale të cilat kanë rezultat në kontestimin e Aktvendimit të Gjykatës Themelore”, thuhej në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese. 

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon.net LLC” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”. Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim. Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh.  Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G. 

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G.  E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit. Në maj të vitit 2017 Telekomi i Kosovës dhe operatori “Z-Mobile” kishin njoftuar  se  kishin arritur marrëveshje lidhur me vendimin e Arbitrazhit, i cili e obligonte Telekomin t’i paguante rreth 30 milionë euro dëmshpërblim operatorit “Z-Mobile”. 

Pikërisht tani është testi më serioz i gjyqësorit të Kosovës, për ta provuar drejtësinë sipas ligjit dhe kushtetutës dhe shpëtuar Telekomin e Kosovës nga skenari i zhvatjes me qëllim të falimentimit nga  Devollët.  Kështu që tani është edhe rasti vendimtar për ta  fituar  betejën ndaj  zhvatëseve dhe grupeve kriminale të interesit që kanë pas vetëm një qëllim: vjedhjen e buxhetit, shkatërrimin e pasurisë së qytetarëve, fundosjen dhe falimentimin e Telekomit të Kosovës dhe largimin nga vendet e punës të punëtoreve të kësaj kompanie, dikur ndër më profitabilet, dhe kontribuese e rëndësishme në mbushjen e buxhetit të shtetit. 

 Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".