Liberazimi i vizave po vjen

Liberazimi i vizave po vjen

Hajrullah Tërnava

  • 11 October 2022 - 16:23

Shkruan: ANALISTI: Hajrullah Tërnava

 

Tani edhe definitivisht po i vjen fundi edhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, sepse tani e sa vite të tëra ishin të vetmit qytetarët e Kosovës pa liberalizim të vizave, e që tash pritet të ndodhë me 13 tetor ne Bruksel. Tani nga këto pritje të gjata gjithsesi se do të shpërblehen qytetarët e Kosovës me liberalizim të vizave në këtë fund viti, pasi që së fundi edhe Komision Evropian iu ka shkruar vendeve të BE-së me një kërkesë për vendim pozitiv të liberalizimit të vizave për Kosovarët.

 

 

Masat e qeverisë së re të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, brenda mundësive dhe kompetencave ligjore e kushtetuese, do të jenë ndikuese pozitive në këtë proces në pritje, në fushën e sundimit të ligjit, por edhe pakoja ligjore për reformimin e plotë të sistemit të drejtësisë, që agjenda e liberalizimit të vizave për Kosovën të merr epilog pozitiv dhe njëherë e përgjithmonë të hiqet nga rendi i ditës së BE-së dhe të lëvizin lirshëm qytetarët e Kosovës. Fakti që edhe Komisioni Evropian u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Këshill një dokument të detajuar teknik ku konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se Komisioni konfirmon se mbetet në fuqi propozimi që BE-ja t’i liberalizojë vizat për Kosovën, është një ndihmesë dhe lobim i fuqishëm për ndikim pozitiv. Ky dokument do të jetë edhe bazë për diskutimin në grupin punues për vizat në Këshill më 13 tetor në Bruksel. Ai është dërguar si një rifreskim i të dhënave për të informuar vendet anëtare të BE-së dhe nuk është raport formal për implementimin e udhërrëfyesit pasi një raport i tillë ishte bërë më herët dhe nuk ka nevojë për një tjetër. Në këtë dokument, të dërguar si non-paper, në detaje përmenden shembujt që dëshmojnë se Kosova edhe pas vitit 2018, kur Komisioni kishte konfirmuar përmbushjen e kritereve, ka vazhduar të bëjë progres në të gjitha fushat që janë të përfshira në udhërrëfyesin për vizat. “Kosova ka vendosur një kornizë të fuqishme ligjore dhe operacionale për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe për t’u përballur me rreziqet e sigurisë dhe ato nga migracioni. Kjo ishte konfirmuar edhe përmes raporteve vjetore të Komisionit në kuadër të paketës së zgjerimit”, thuhet në konkluzat e dokumentit që u është dërguar vendeve anëtare. Në të njëjtin dokument konfirmohet se Kosova ka vazhduar të konsolidojë progresin në fushat kyçe të identifikuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. “Si rrjedhojë, baza për rekomandimin e Komisionit nga viti 2018 për të përjashtuar shtetasit e Kosovës nga kërkesa për viza për qëndrim të shkurtër, mbetet tërësisht e vlefshme”, konkludohet në fund të këtij raporti. Sipas ekspertëve të Komisionit Evropian, Kosova në vitet e fundit ka forcuar kornizën ligjore dhe institucionale në fushat si siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufijve dhe migracionit, rendit publik dhe sigurisë, të drejtat themelore të lidhura me lirinë e lëvizjes, duke i afruar ato me standardet e BE-së. Në raport konfirmohet se Ministria e Brendshme e Kosovës ka siguruar që të gjitha dokumentet e udhëtimit, pasaportat, janë biometrike dhe janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian. Kosova, sipas këtij raporti, ka përshtatur edhe më shumë legjislacionin me BE-në edhe në fushën e menaxhimit të koordinuar të kufijve. Gjithashtu, ka bërë progres domethënës në funksionimin e sistemit gjyqësor, përfshirë edhe efikasitetin, profesionalizmin, përgjegjësinë dhe integritetin. Aty thuhet se Kosova ka arritur përparim në hetimin dhe dënimin e rasteve të krimit të organizuar. Po ashtu, Kosova i ka përmbushur dhe kushtet për riatdhesimin e shtetasve të saj, të cilët kanë kërkuar azil në BE dhe kanë marrë vendim për t’u larguar. Komisioni Evropian konstaton trend pozitiv edhe në numrin e refuzimit të dhënies së vizave për qytetarët e Kosovës nga vendet e BE-së, si dhe rënien e numrit të azilkërkuesve të rrejshëm. Të gjitha këto të dhëna që janë përmendur në dokumentin që e ka dërguar Komisioni Evropian, do të shërbejnë për Këshillin e BE-së, i cili më 13 tetor nis procedurën që ka për qëllim finalizimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Në këto dy vite mandat të qeverisë së re, përveç pakos së re ligjore të reformimit të drejtësisë, në fokus të institucioneve të rendit dhe ligjit është lufta kundër krimit të organizuar, kontrabandës ndërkufitare, luftës kundër trafikimit me narkotik, droga, armë e trafikim të njerëzve. Vetëm gjatë këtyre muajve të fundit janë realizuar dhjetëra aksione kundër korrupsionit kontrabandës e krimit të organizuar. Vetëm gjatë kësaj jave, të mërkurën në orët e pasdites, si rezultat i hetimit disa mujor, Policia dhe Inspektorati Policor me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Gjykatës Themelore në Prizren, janë duke realizuar një operacion të gjerë të koduar me emrin “TOTO” në disa rajone të vendit. Operacioni i lartcekur ka për qëllim zbatimin e urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prizren për arrestimin e personave të dyshuar (përfshirë edhe një zyrtar policor) dhe kontrollin e disa lokacioneve (Prizren, Prishtinë, Malishevë, Suharekë) . Sipas një komunikate të Inspektoratit, hetimi është duke u zhvilluar mbi bazën e dyshimit se nga të dyshuarit në këtë rast janë kryer vepra penale të “Fajdes”, Detyrimit” dhe “Organizimi i Skemave Piramidale dhe Bixhozit të Paligjshëm”. Operacioni ka rezultuar me 13 të arrestuar dhe mbi 55 mijë euro të konfiskuara. Marr në përgjithësi popullata kosovare është e bindur se liberalizimi do të ndodhë ditëve në vijim në këtë vit, por edhe nëse prapë vazhdohet të stërzgjatet, besohet se në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm gjithsesi  liberalizimi do të ndodhë, sepse i ka ardhur tani fundi i liberalizimit të vizave, sepse Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim, gjë që shtete të tëra tani janë bindur për këtë.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".