E thotë analisti: Pas humbjes që pësoi opozita, i vetmi ngushëllim i tyre ka qenë dështimi i zgjedhjes së presidentit

E thotë analisti: Pas humbjes që pësoi opozita, i vetmi ngushëllim i tyre ka qenë dështimi i zgjedhjes së presidentit
E thotë analisti: Pas humbjes që pësoi opozita, i vetmi ngushëllim i tyre ka qenë dështimi i zgjedhjes së presidentit

Idriz Zeqiraj

  • 07 May 2026 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Realisht, kjo opozitë edhe në vjeshtën e vitit 2023 i ka përmendur një palë zgjedhje të jashtëzakonshme, pas përfundimit të mandatit të presidentes Vjosë Osmani. Ndërsa përgjatë vitit 2024, të njëjtën gjë e ka përsëritur disa herë.

-Kurse pas humbjes që pësoi opozita komplete, më 9 shkurt 2025, i vetmi ngushëllim i tyre ka qenë dështimi i zgjedhjes së presidentit/es, në prillin e vitit 2026. Një mendësi primitive, kundërshtetërore dhe kriminale, kur dihen shpenzimet disa milionshe dhe dëmi moral që i bëhet shtetit të Kosovës!

Por që këtë krizë subjektive dhe artificiale ta sjellë pozita, nuk e mendoja dhe aq më pak e prisja nga djali Albin Kurti, me shoqe dhe shokë, bollshëm të shkolluar!?

Kur Kurti kërkoi nga PDK dhe LDK listën me tre emra të kandidatëve për president, tha se LVV nuk ka kandidatë të saj. Opozita nuk pranoi dorëzimin e emrave, nga frika që është lojë e Kurtit dhe nuk donin t’i jepet mundësia atij të tallet me njerëzit e tyre.

Vërtet, LDK-ja kishte zbuluar emrin e Vjosë Osmanit për kandidate. Pothuajse ilegalisht, në errësirën e natës, Kurti i nxori dy emra për kandidate. Pastaj e hoqi njërën, duke lënë në garë një veprimtare të respektuar për të drejtat e njeriut, Feride Rushiti. Albini ftoi në garë Vjosë Osmanin, të përballet me zonjën Rushiti, e cila i kishte 66 vota të siguruara, kundrejt Vjosës që kishte 15 vota! Dhe kjo nuk është garë, është lojë, më saktë, tallje groteske dhe cinike e Kurtit!

Ndërkohë, përgjatë harkut kohor katërmujor, kërkesë e prerë e opozitës ishte: zgjedhja e presidentit të Republikës me konsensus ose marrëveshje politike.

Edhe opozita nuk ishte për “marshallah”: “Ne nuk vijmë në Kuvend, sepse ju doni ta zgjidhni Vjosë Osmanin presidente”, – e tha zyrtarisht PDK-ja!

PDK mbante inat me Vjosën, sepse nuk e kishte votuar Hashimin president dhe e kishte kundërshtuar, në vijimësi, se ai ishte pjesë e trinomit Rama–Vuçiq–Thaçi, të koordinuar për ta ndarë Kosovën. Vjosa e dinte edhe historikun e rekrutimit të Hashimit si agjent i tri shteteve: Shqipërisë, Francës dhe Serbisë.

Kurti flet për oferta të bëra LDK-së, por mungesa e besueshmërisë është pengesë serioze. Thonë se “në politikë inati është humbës”. Megjithatë, Kurti po e mbijeton edhe inatin, duke i gëzuar fitoret lehtësisht.

Rasti i shkarkimit të ambasadorit Vehbi Skënderi, i emëruar nga presidentja Vjosë Osmani, nuk e nderon Kurtin. Një diplomat i urtë, një kuadër me personalitet dhe integritet të plotë, me përgatitje solide intelektuale dhe edukatë supreme, mençurisht i përzgjedhur për përfaqësim të Kosovës në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Retrospektivë:

Ishte në stafin e ngushtë të kryetarit të LDK-së. LDD-ja po pakësohej, por as LDK-ja nuk po shtohej. Egoistët karrieristë nuk e donin bashkimin, për interesa vetanake. I vetmi zë ndryshe ishte Dr. Vehbi Skënder: “Unë mendoj se duhet një qasje ndryshe për mundësinë e bashkimit të LDD-së, e cila, edhe pse e shkëputur për një kohë, ajo ka qenë dhe mbetet pjesë integrale e LDK-së, me veprimtarë të përkushtuar dhe të dëshmuar, në dashurinë për idhullin e tyre dhe tonin të përjetshëm, Presidentin unik Dr. Ibrahim Rugova”. Kjo mjaftoi që Dr. Miftarin ta largonin nga posti partiak që mbante!

Dr. Vehbi Miftari dhe Prof. Dr. Enver Bytyçi janë ndër studiuesit më seriozë të jetës dhe veprës së Presidentit Rugova. Dr. Vehbiu më kërkoi ta organizoj përurimin e librit të tij kushtuar Dr. Rugovës. E bisedova me kryetarët e shoqatave simotra me emrin “Sali Çekaj”, në Gjermani dhe Zvicër, Osman Ferizi dhe Saim Tahiraj, të dy bashkëluftëtarë të Sali heroit, si dhe Naser Hoxha, kryetar i Shoqatës “Dardania” në Mannheim, Gjermani.

Kohën e përurimit të librit e zgjodhëm ditën e Akademisë Përkujtimore, kushtuar Sali Çekaj. Libri ishte simbolikë për dy personalitete, Rugova dhe Çekaj, binom unik, me ngjashmëri komunikuese, sikur të ishin vëllezër binjakë biologjikë. Dr. Vehbi Skënderit i kishte hije fjala dhe ndeja. Për të pranishmit e shumtë, la mbresa të veçanta. Megjithatë, kryeministrit Kurti i doli i tepërt një kuadër i kompletuar për lakmi, andaj e shkarkoi nga detyra e diplomatit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".