Për zgjedhjen transparente dhe pa dallavere të Kryeprokurorit të Shtetit, është koha e fundit për tu pastruar KPK-ja nga nëntoka e krimit të organizuar

Për zgjedhjen transparente dhe pa dallavere të Kryeprokurorit të Shtetit, është koha e fundit për tu pastruar KPK-ja nga nëntoka e krimit të organizuar
Për zgjedhjen transparente dhe pa dallavere të Kryeprokurorit të Shtetit, është koha e fundit për tu pastruar KPK-ja nga nëntoka e krimit të organizuar

Gani Qarri

  • 13 March 2024 - 07:50

Shkruan: Gani Qarri

Siç dihet tanimë publikisht edhe nga opinioni i gjerë, me futjen nga KPK-ja, në rrugë pa krye të emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit, pas mos pranimit të vendimit të Presidentes Osmani për refuzimin e kandidaturës së Blerim Isufajt, tre OJQ: IKD, FOL dhe INPO i kanë kërkuar KPK të shpallë sa më parë konkursin e ri për Kryeprokuror të Shtetit. Andaj KPK duket se më në fund, do të detyrohet ti bindet presionit të ushtruar nga diplomatët ndërkombëtar dhe Organizatat e shoqërisë civile në vend, që ta zhbllokojë përfundimisht, çështjen e mbetur pezull të pozitës së Kryeprokurorit të ri të shtetit, duke shpallur konkurs të ri, dhe zhvilluar atë në procedura të rregullta e transparente dhe të mbikëqyrura së afërmi, si nga OJQ-të vendore ashtu edhe nga diplomatët e huaj ndërkombëtar.

-Organizatat të cilat e kishin kritikuar dhe denoncuar mënyrën e papranueshme të manipulimit të konkursit të kaluar me kandidaturën e Blerim Isufajt, i kanë bërë kësaj radhe thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës që në përputhje me kompetencat që ka, pas mos dekretimit të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit nga Presidentja e Republikës së Kosovës, të shpallë konkurs të ri për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit. Kjo për faktin e ditur se Kosova është pa Kryeprokuror të Shtetit që nga prilli i vitit 2022 dhe tani po bëhen dy (2) vite që kur Prokurori i Shtetit funksionon me u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit. Por me këtë rast, duhet theksuar fort edhe njëherë, detyrimi kushtetues për të pasur Kryeprokuror të Shtetit nuk përjashton nevojën ligjore, për një proces transparent dhe meritor në procedurën për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, thuhet në kërkesën e OJQ-ve. Më 17 tetor 2023, Presidentja e Republikës së Kosovës pati njoftuar publikisht se nuk e ka dekretuar kandidatin e propozuar nga KPK për Kryeprokuror të Shtetit, duke e kthyer mbrapsht këtë proces në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe inatosja nga ana e KPK-së, e sjellja e tyre me kryeneçësi ka barë që, nga atëherë procesi të bllokohet.

” Fatkeqësisht, edhe tanimë kur po bëhen mbi pesë (5) muaj nga nxjerrja e këtij njoftimi nga Presidentja e Republikës së Kosovës, KPK ende nuk ka vepruar në drejtim të zhvillimit të një procesi meritor dhe transparent për përzgjedhjen e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit. Veprimi i vetëm i tyre ka qenë ri propozimi, për imponimin pa proces të ri konkurrues, të të njëjtit emrit (Blerim Isufaj) për dekretim si Kryeprokuror të Shtetit, thuhet në kërkesën e përbashkët të katër OJQ-ve drejtuar KPK-s për shpalljen e konkursit të ri. Dhe kjo mënyrë e veprimit nga KPK, sipas OJQ-ve, shpërfaqë mungesën e thellë të vullnetit të tyre për të zhvilluar një proces transparent dhe meritor për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, duke abstrahuar mos zhvillimin e një procesi meritor, transparent dhe me integritet të pakontestuar. “Nëse deri më 17 tetor 2023 KPK nuk ka pasur përgjegjësi për vonesat që janë krijuar në këtë proces për shkak se propozimi ishte tek Presidentja e Republikës së Kosovës, që nga kjo datë e tutje, KPK është institucioni i vetëm, që mbanë përgjegjësi, se pse Kosova ende nuk ka Kryeprokuror të Shtetit,” thuhet në reagimin e koalicionit të OJQ-ve IKD, FOL dhe INPO . Andaj në reagimin e përbashkët, shoqëritë Civile vendore, kanë thënë se tash barra e përgjegjësisë për bllokim bije krejtësisht mbi KPK-në dhe askund tjetër.

Përndryshe vendimi i Presidentes së Republikës së Kosovës konfirmoi gjetjet e koalicionit të OJQ-ve që monitoruan procesin e përzgjedhjes së kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka siguruar meritokraci, objektivitet dhe se kandidatët nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë, çka sipas koalicionit ky proces është shoqëruar me shkelje të shumta procedurale. Ndaj këtij procesi, kishte reaguar edhe Ambasada Amerikane, ajo Gjermane dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke u shprehur të zhgënjyer me KPK-në. Madje vetë ambasadori Amerikan Hovenier ka qenë shumë i ashpër kundër KPK-së në rastin e Blerim Isufajt, i c ili deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur kandidat të preferuar dhe as nuk kemi gjykuar kualifikimet e kandidatëve individualë, por “Fakti që anëtarët e KPK-së e shpërfillën ligjin ankesat dhe rekomandimet e panelit shqyrtues, bije ndesh me atë standard.

Ne vërtet jemi të shqetësuar me mënyrat se si KPK-ja i ka zhvilluar këto procedura, e cila ka dëmtuar rëndë edhe besimin e publikut kosovar dhe besimin tonë në KPK si institucion publik”, pati deklaruar diplomati amerikan. Me këtë rast, duhet rikujtuar se pasi ishin tërhequr nga monitorimi Ambasada Britanike, për shkak se ishte injoruar për dy muaj nga KPK dhe Kryeprokurori i Shtetit, integriteti i këtij procesi ishte cenuar qysh në fillim, e për më tepër edhe Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2022 ka theksuar zhgënjimin e thellë të ambasadave dhe shoqërisë civile për mungesën e drejtësisë, transparencës dhe parimeve të meritës në procesin e zhvilluar nga KPK-ja, për propozimin e kandidatit meritor për Kryeprokuror të Shtetit!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".