Përplasjet mes VV-së dhe partive të tjera po dëmtojnë funksionimin e Kuvendit

Përplasjet mes VV-së dhe partive të tjera po dëmtojnë funksionimin e Kuvendit
Përplasjet mes VV-së dhe partive të tjera po dëmtojnë funksionimin e Kuvendit

Florim Zeqa

  • 29 April 2025 - 07:29

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

E gjitha çfarë po ndodh në mbledhjet e Seancës së Parë Konstituive të Kuvendit të Kosovës, më tepër është strategji e partive parlamentare për të dëshmuar forcën ndaj njëra-tjetrës sesa vullnet për të ecur përpara në krijimin e institucioneve të reja shtetërore.

 

-Insistimin e VV-së në propozimin e Albulena Haxhiut për Kryeparlamentare, e shoh konsistencë në qëndrimet për të mbrojtur të drejtën e saj kushtetuese në kandidaten e saj të preferuar, ani pse nuk po gjen mbështetje të mjaftueshme në Kuvend!

Kjo është një lojë strategjike për të treguar forcën e partisë dhe për të matur njëkohësisht forcën reale të partive rivale në Kuvend.

Përplasjet mes VV-së dhe partive të tjera po dëmtojnë funksionimin e Kuvendit, duke krijuar kështu një bllokadë të qëllimshme, e cila po e bën të pamundur formimin e institucioneve të reja shtetërore.

Duke mos pranuar të ndryshojë kandidatin, VV-ja në mungesë të votave po e prolongon qëllimshëm momentumin kohor për zgjedhjen e kryeministrit, e cila në fakt nuk po humb asgjë në terrenin politik! Sa më shumë po zgjatet bllokada në Kuvend, aq më e madhe po bëhet mundësia e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat pa dyshim do ta forcojnë pozitën e LVV-së në skenën politike.

Edhe pse të njëjtën gjë e presin edhe partitë humbëse të zgjedhjeve, ato mund të jenë fatale për një pjesë të tyre!

Pasi partitë opozitare dolën të fragmentizuara nga zgjedhjet e 9 shkurtit! Për dallim nga PDK-ja, e cila duket të jetë paksa më e unifikuar, LDK-ja asnjëherë nuk ka dalë nga zgjedhjet më e përçarë se kësaj radhe, shkaku i abuzimit të votave nga brenda sipas orekseve klanore të kryetarit aktual. AAK-së, pas asaj që i ndodhi me NISMA-n, i duhet një mobilizim i jashtëzakonshëm për të mbijetuar në skenën politike, kurse NISMA do të mbetet në kujtesën historike!

Pa një rikonfigurim të shpejtë të skenës politike dhe pa ngjizjen e një alternative të re politike, LVV-ja përsëri dhe pa konkurrencë do të dalë e para në zgjedhje.

Edhe përkundër kërkesës së partive rivale që të ndryshojë kandidatin, LVV-ja përsëri do ta propozojë Albulena Haxhiun për Kryetare të Kuvendit të Kosovës, e drejtë kjo e pakontestuar e partisë fituese.

Janë të pakuptimta akuzat e ndërsjella të partive parlamentare. VV-ja po akuzon partitë e tjera për bllokadë të qëllimshme të Kuvendit, ku ngjashëm po deklarohen edhe PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja për partinë e parë.

Dihet mirëfilli se posti i kryeparlamentarit i takon partisë së parë dhe është e drejtë e saj të mos e ndërrojë kandidaten në fjalë, znj. Albulena Haxhiu!
Problemi është te opozita, e cila nuk i ka votat për formimin e Qeverisë; në të kundërtën, që në ditën e parë do ta votonte kandidaten e LVV-së.

Janë këto obstruksione të palogjikshme të partive humbëse të zgjedhjeve!

Opozitës i takon që ta kalojë hapin e parë të konstituimit të Kuvendit, pastaj le t’i matin forcat me partinë fituese të zgjedhjeve, por assesi nuk i takon të bllokojë në mënyrë të pandershme zgjedhjen e Kryeparlamentarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit. Fundja, ky është obligim kushtetues i deputetëve të Kuvendit që të zgjedhin organet drejtuese të institucionit legjislativ nga i cili po i marrin meditjet dhe pritet t’i marrin edhe pagat e rregullta nga muaji i ardhshëm!

Kur të vijë puna te zgjedhja e kryeministrit dhe qeverisë së re, atëherë, ai është momentum tjetër nga i cili mund të përfitojë edhe opozita, në fillimin e negociatave të përbashkëta për t’iu kundërvënë në mënyrë të ligjshme Albin Kurtit, por jo në këtë mënyrë sa për të provokuar zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, nga të cilat nuk i dihet ‘ku do ta kenë kokën e ku bishtin’!

Do të jetë në interes të vendit që partitë parlamentare të reflektojnë pozitivisht, kur tashmë dihet botërisht se LVV-ja nuk i ka më shumë se 57 vota! E marta e 29 prillit duhet të jetë vendimtare për zhbllokimin e punës së Kuvendit, në të kundërtën, nuk ka më logjikë të shkohet tutje pa dakordim paraprak me të njëjtin ritëm të dështimit politik në Kuvend!

Zhbllokim ose shkuarje në zgjedhje! Shpërbërja eventuale e një Kuvendi të pakonstituuar do të ishte rast i keq dhe i paprecedent, do të ishte alarm për proceset e ardhshme demokratike para të cilave ndodhet vendi ynë!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".