Oroshi: Të gjithë ata që janë kundër bashkëpunimit të shqiptarëve mes vete janë agjentë të Serbisë

Oroshi: Të gjithë ata që janë kundër bashkëpunimit të shqiptarëve mes vete janë agjentë të Serbisë
Oroshi: Të gjithë ata që janë kundër bashkëpunimit të shqiptarëve mes vete janë agjentë të Serbisë

Nue Oroshi

  • 26 April 2025 - 09:00

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

Të gjithë ata që janë kundër bashkëpunimit të shqiptarëve mes vete janë agjentë të Serbisë, Rusisë, Greqisë dhe pjesëve të tjera të agjenturave antishqiptare. Duhet ta dimë një gjë: kulturat politike dhe diverzionet e ndryshme mes regjioneve apo pjesëve të tjera i kemi pasur edhe në të kaluarën, por i kemi edhe sot. Kjo nuk është një karakteristikë vetëm te ne shqiptarët – kjo ekziston edhe te popujt e tjerë.

 

-Në Gjermani, për shembull, janë gjithsej 16 republika të ndryshme që jetojnë në një federatë të përbashkët. Edhe gjermanët kanë dallime të ndryshme, qofshin ato kulturore apo politike. Ta zëmë, gjermanët që jetojnë në Republikën e Bavarisë kanë një orientim krejt tjetër në aspektin kulturor dhe politik, krahasuar me gjermanët që jetojnë në Republikën e Schleswig-Holstein-it, sepse gjatë historisë së tyre kanë pasur zhvillime të ndryshme kulturore dhe politike. Por një gjë e kanë të përbashkët dhe janë krenarë për të: të qenit gjermanë.

Edhe ne shqiptarët nuk do të thotë që duhet të kemi një mendim të njëjtë kulturor apo politik, por ajo që duhet të na bëjë krenarë, pavarësisht se ku jetojmë – në pjesë të Shqipërisë Etnike apo në Mërgatë – është të qenit shqiptarë.

Të jesh shqiptar është vërtet një privilegj. E ai privilegj nuk u takon të gjithëve. Ai u takon familjeve atdhetare që, brez pas brezi, në mënyra të ndryshme, kanë dhënë kontribut për shqiptarizmin dhe janë sakrifikuar për të qenë shqiptarë. Ato familje që nuk e pranojnë se janë shqiptarë, pavarësisht se ku jetojnë, le t’i bashkëngjiten kombit që mendojnë se i përkasin – por nuk mund të krijohen identitete të reja kombëtare nga një lis apo trung i përbashkët.

Një lis që prodhon mollë, quhet lis i mollës. Pavarësisht se ka shumë lloje mollësh – të ëmbla, të tharta, të mesme – molla është molla, dhe nuk është as qershi, as dardhë, e as ndonjë pemë tjetër. Edhe ne shqiptarët, gjatë rrjedhave historike, mund të kemi marrë kultura të ndryshme që sjellin ndonjë dallim mes nesh, por më e madhja dhe më e rëndësishmja që na bashkon është: të qenit shqiptarë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".