
Kosova po bëhet metafora më e hidhur e vakive politike


Zef Prenka
Nga Zef Prenka
Kosova sot po bëhet metafora më e hidhur e vakive politike. Qeverisja aktuale e Albin Kurtit dhe LVV-së nuk është thjesht një menaxhim i dobët – është një shpikje e një sistemi të ri shoqëroro-politik, ku përzihen diktati me dredhinë, uzurpimi me manipulimin, dhe pushteti me arrogancën.
E kanë zhveshur politikën nga parimi dhe e kanë mbushur me gjuhë fajtore, me akuza, me intriga e me mashtrime të planifikuara. Një pushtet që lufton qytetarët e vet, që sulmon institucionet e shtetit që duhej t’i ndërtonte, nuk është pushtet i qytetarëve – por i individit dhe klanit të vet.
Në këtë terren të krijuar qëllimisht, opozita është kthyer në spektator të heshtur. Në vend që të jenë frenë ndaj abuzimit, ata zgjedhin të mos jenë fare. Dhe kur opozita mungon, demokracia nuk ekziston më. Po aq fajtore janë edhe OJQ-të e shumta, të cilat kanë heshtur, duke pranuar të jetojnë me bukën e donacioneve dhe jo me përgjegjësinë ndaj shoqërisë.
Kjo gjendje ka sjellë Kosovën në një absurditet politik e shoqëror, ku qytetarët mezi e gjejnë më shpresën. Por ky absurditet nuk është i pakthyeshëm. Unë po e them troç: për ta kthyer këtë vend në normalitet nuk duhen muaj e vite, por vetëm 7 ditë – shtatë ditë pune të vërtetë, me vizion të kthjellët, me vendime të guximshme dhe me vullnet politik. Në shtatë ditë mund të ndalet mashtrimi, të pastrohet administrata nga uzurpimi, të rikthehet llogaridhënia, dhe të hapet rruga për një shoqëri të lirë e dinjitoze.
Kronika e zezë e Kosovës është rezultati i qeverisjes në detyrë: fatkeqësi kudo, korrupsion, uzurpim, kapje, vetëm kapje të pushtetit e shtetit.
Një pushtet që fajëson popullin e vet dhe një opozitë që hesht. Koha për kthim në normalitet është tani, jo nesër.
Prandaj, sot Kosova ka nevojë për zgjim – jo për durim. Sepse nëna e vakive nuk duhet të bëhet varri i së ardhmes sonë
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".