Pranimi i Kosovës në Bordin e Paqës është sukses dhe respekt i jashtëzakonshëm i SHBA-ve

Pranimi i Kosovës në Bordin e Paqës është sukses dhe respekt i jashtëzakonshëm i SHBA-ve
Pranimi i Kosovës në Bordin e Paqës është sukses dhe respekt i jashtëzakonshëm i SHBA-ve

Gani Qarri

  • 29 January 2026 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Bordi i Paqes është një organizatë e përbërë nga më se 40 shtete të pavarura anë e mbanë botës, që do të krijohet me nismën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si instrument juridik për promovimin e stabilitetit, rivendosjen e rendit dhe të ligjit, qeverisjen dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në territore të luftës dhe të kërcënuara nga konflikti, në bashkëpunim me OKB-në, mbështetur në Rezolutën nr. 2803 (2025) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

 

-Prandaj, pas përfshirjes së Kosovës në Ligjin e Mbrojtjes së SHBA-ve, pranimi i Kosovës në këtë Bord dhe ofrimi i statusit të anëtarit themelues nga SHBA për Republikën e Kosovës si shtet i pavarur, është suksesi më i madh dhe nderim e respekt i jashtëzakonshëm i SHBA-ve për avancimin dhe subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë në botë, si dhe një akt i veçantë që vërtet e bën shumë krenar popullin dhe vendin tonë, si shtet i ri dhe ende i papranuar me të drejta të plota në OKB dhe organizata të tjera të rëndësishme botërore, arritje sublime për të cilën duhet falënderuar pafundësisht Presidenten, veçanërisht për kultivimin e marrëdhënieve shembullore me SHBA-të dhe politikën e saj shumë të suksesshme në arenën ndërkombëtare.

Ndërsa sa i takon kontributit financiar, realiteti asgjëson çdo lloj propagande dashakeqe, ngado që ajo sulet kundër kësaj arritjeje sublime të vendit tonë, ngase për çdo shtet pjesëmarrës, anëtarësimi në Bord parasheh kontribute financiare vullnetare, sipas mundësive buxhetore të shtetit përkatës, fillimisht bazuar në planifikimet afatmesme buxhetore të tri viteve të ardhshme 2027, 2028, 2029.

Fatmirësisht, vetë pjesëmarrja e vendit tonë me statusin e shtetit të pavarur, si anëtar themelues në Bord, përveçse i jep Kosovës status të pakontestueshëm shtetëror të nivelit më të lartë të një vendi të pavarur, të barabartë me të gjitha vendet e tjera anëtare të OKB-së dhe e vesh vendin tonë me fuqinë që parashohin atributet e veprimeve vendimmarrëse si shtet i pavarur, përbën edhe një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe shumë të rëndësishëm, me peshë të pamatshme për vizionin e faktorizimit sa më të madh dhe të gjithanshëm të shtetit tonë të pavarur e sovran në arenën ndërkombëtare, forcon subjektivitetin në politikën e jashtme dhe rrit avancimin e diplomacisë së re të Republikës së Kosovës.

Kënaqësia bëhet edhe më e madhe kur, përveç kontributit në garantimin e paqes dhe të stabilitetit në rajon, me iniciativën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Republika e Kosovës pozicionohet krahas SHBA-ve si faktor stabiliteti dhe kontribuuese e paqes edhe në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.

Vendim i cili konfirmon edhe më fuqishëm miqësinë e përhershme dhe partneritetin strategjik me SHBA-të, si dhe rrit dhe forcon imazhin politik dhe shtetëror të Republikës së Kosovës edhe në proceset që synon vendi ynë t’i arrijë për njohje të reja dhe anëtarësim me të drejta të plota në institucionet dhe organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare.

Prandaj, miratimi sa më i shpejtë në Kuvend dhe mbështetja e gjithanshme mbarëpopullore dhe sa më e fuqishme, pa asnjë rezervë nga të gjithë qytetarët e Kosovës, duke mos lejuar që një vendim kaq madhor dhe domethënës të zbehet nga propaganda dashakeqe dhe tendencat e brendshme e të jashtme qëllimkëqija dhe armiqësore ndaj faktorizimit të shtetit dhe pavarësisë së vendit tonë në botë, do të jetë jo vetëm i mirëseardhur, por edhe hap shembullor dhe akt i domosdoshëm patriotik e kombëtar, që duhet të ndodhë sa më parë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".