
Fitues i vogël në mesin e të vegjëlve


Isuf Bajraktari
Nga, Isuf Bajraktari
Në Kosovë sot nuk kemi pozitë e opozitë në kuptimin klasik të demokracisë. Nuk kemi qeveri që ndërton dhe opozitë që kontrollon.
Kemi vetëm një renditje numerike: kush doli i pari, i dyti, i treti. Por kur edhe “i pari” është i vogël, edhe fitorja mbetet e vogël.
Lëvizja Vetëvendosje, edhe pse doli fituese e zgjedhjeve, në realitet është një fitues i vogël. Sepse në Kuvend mbetet e kufizuar me numra, pa shumicë stabile dhe pa kapacitet të ndërtojë konsensus politik. Fitorja e saj është më shumë aritmetike sesa shtetformuese: një kryesim i renditjes, jo një mandat për ta bërë shtetin më të madh.
Kjo parti erdhi me premtimin e madh për ndryshim. Sot, mbi katër vite më vonë, ajo është shndërruar në pushtet që e sheh veten si qëllim, jo si mjet për shtetin. Kuvendi është bërë një mekanizëm votash, qeveria një zyrë propagande, ndërsa lidershipi që pritej ka mbetur në hije.
Në vend që Kosova të ketë kryeministër shtetformues, ajo ka vetëm një kryeministër administrativ, i cili në fakt ka dhënë betimin si deputet dhe vepron më shumë
si menaxher i përditshmërisë sesa si lider me vizion. Në vend që të prodhojë vizion për zhvillim, qeveria improvizon. Në vend që të krijojë miq ndërkombëtarë, dështon diplomatikisht. Në vend që të bashkojë faktorët shqiptarë, i përçan dhe shpesh i fut të gjithë kundërshtarët në të njëjtin thes me Listën Serbe – një barazim absurd
që tregon mungesë të kulturës politike dhe padituri diplomatike.
Ndërkohë, problemet reale të qytetarëve mbeten pa përgjigje: papunësia, emigrimi masiv, arsimi i degraduar dhe shëndetësia e dobët.
Përballë këtyre sfidave, pushteti ofron vetëm fjalime dhe propagandë. Shpresa e madhe e vitit 2021 është shndërruar në zhgënjim të madh në vitin 2025.
Kosova sot është në krizë të trefishtë: politike, institucionale dhe vizionare. Dhe ky pushtet nuk ka as vullnet, as kapacitet ta nxjerrë vendin nga kjo gjendje.
Sepse nuk udhëhiqet nga një kryeministër që mendon për shtetin, por nga një kryeministër administrativ që mendon vetëm për pushtetin.
Një gjë është e qartë: Një fitues i vogël në mesin e të vegjëlve nuk mund të ndërtojë një shtet të madh.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".