
AKADEMIA E HESHTUR E PENSIONISTËVE TË KOSOVËS!


Ismail Muçiqi
Shkruan: Ismail Muçiqi
Institucioni më i lartë i Kulturës dhe i Shkencës në shtetet e Botës është ajka e personaliteteve të dëshmuara të dijes, të cilët përmes punëve shkencore dhe elaboratave i paraprijnë proceseve kulturore, arsimore, shkencore e ekonomike, madje edhe e trasojnë rrugën e interesave dhe të ardhmërisë së një kombi. Por, çfarë po ndodh me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës? Ky institucion, që ka për mision zhvillimin e proceseve shkencore dhe kulturore, nuk po arrin ta ushtrojë rolin e vet në përputhje me ligjin dhe normat juridike që dalin nga programet qeveritare, përkatësisht nga Ministria e Arsimit dhe institucionet tjera shtetërore. Në vend që të jetë në hap me kohën dhe interesin e përgjithshëm të shoqërisë Kosovare, Akademia vazhdon të qëndrojë pasive dhe indiferente tash e shumë vite ndaj proceseve me të cilat po ballafaqohet vendi. Sot Kosova përballet me kriza të shumta që rrezikojnë ndërtimin e institucioneve demokratike, unitetin e popullit si dhe me sfida e rreziqe nga politika destruktive dhe armiqësore që ushtron Serbia ndaj nesh.
Është e pafalshme që një institucion i rangut akademik, që punon në kushte dhe standarde të larta – nga godina madhështore e deri te pagat e larta dhe benefitet – të qëndrojë pa invencion e pa reagim ndaj proceseve shtetërore. Që nga paslufta, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës janë sistemuar më shumë personalitete të përzgjedhura në bazë të klaneve politike sesa figura me vepra shkencore e akademike të mirëfillta. Populli i Kosovës mezi që e mban mend kur ky institucion ka prodhuar ndonjë vepër shkencore, elaborat apo memorandum që do t’i ndihmonte vendit për të gjetur më lehtë rrugën e zgjidhjes së çështjeve kapitale. Është e pafalshme që në këtë institucion mungojnë vetëkritika, përgjegjësia dhe vetëdija profesionale. Prandaj, është e drejtë e intelektualëve të këtij vendi të kërkojnë reformimin e Akademisë, në mënyrë që njerëzit që dështuan në përmbushjen e misionit të tyre të zëvendësohen me kuadro të reja. Brezi i ri i studiuesve, të shkolluar në qendra të njohura universitare dhe institute ndërkombëtare, ka dëshmuar me punime dhe botime që janë vlerësuar me standarde të larta të shkencës e kulturës botërore. Akademia e tanishme, që më shumë i përngjan një shoqate pensionistësh sesa një institucioni shkencor, duhet të lirojë vendet e saj për t’u hapur rrugë gjeneratave të reja. Dhe në fund, kjo plejadë akademikësh duhet t’i kërkojë falje popullit të Kosovës për dështimet e saj.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".