Tradhtarët e kombit shqiptar në majat e politikës

Tradhtarët e kombit shqiptar në majat e politikës
Tradhtarët e kombit shqiptar në majat e politikës

Eshref Ymeri

  • 16 September 2025 - 11:38

Shkruan: Prof.dr Eshref Ymeri

Disa ditë më parë pata botuar në internet analizën me titull “Shqiptarët përballë kulturës dhe politikës franceze”. Në faktet e renditura për politikën antishqiptare të Francës, kam përmendur edhe orientimin që kishin pilotët francezë gjatë bombardimeve të aviacionit të NATO-s kundër Serbisë fashiste në pranverën e vitit 1999. Ata pilotë ishin të orientuar për shmangien e bombardimeve të dislokimit të ushtrisë serbe dhe të objekteve të saj ushtarake. Për të mësuar më shumë hollësi për këtë problem, pata nderin të shkëmbej në internet një letërkëmbim më 02 shtator me kolonelin Dilaver Goxhaj, ish-Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ngarkuar (si specialist i anglishtes) edhe me detyrën e koordinatorit të operacioneve ushtrake mes pilotëve të NATO-s dhe trupave tokësore të Ushtrisë në fjalë.

Të nesërmen, më 03 shtator, i dërgova Kolonelit një letër tjetër. Duke pasur parasysh sakrificën e madhe që bëri me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në atë luftë të popullit dardan dhe të forcave të tij të armatosura, më brente kërshëria të mësoja se si e patën vlerësuar aktin e tij heroik autoritetet e larta shtetërore në Tiranë pas përfundimit të luftës.

Dhe Koloneli i nderuar, si gjithmonë korrekt dhe me një përgatitje të admirueshme në fushën e artit ushtarak të nivelit akademik, më ktheu përgjigje me letrën në vijim:

laver goxhai Sep 3, 2025 7:20 AM (2 days ago)

to me

I dashur Profesor,

Në vitin 2001, kur Presidenti Rexhep Meidani miratoi kërkesën e Bashkisë së qytetit të Kavajës për dekorimin e dëshmorit të UÇK-së, Indrit Cara, me ndërhyrjen e këshilltarit të Presidentit, z. Sabit Brokaj, unë, së bashku me Jakup Krasniqin dhe Ramë Bujën, i shkuam në zyrë Presidentit Meidani, për t’i propozuar që të vinte vetë ai për t’ia dhuruar familjes së Indritit dekoratën “Shqiponja e Artë”, e akorduar prej tij. Ai e kundërshtoi kërkesën për ardhjen e tij në atë ceremoni në Kavajë, duke u justifikuar:

“Mirë do të ishte, por i krijojmë pretekst presidentit të Rusisë, Jelcinit, që të thotë nesër se dekorojmë oficerat që kemi dërguar ne në luftë, në Kosovë, gjë që ata kanë shkuar vullnetarisht”.

Ka qenë muaji janar, i vitit 2005. Isha duke pirë kafe pranë selisë së Partisë Socialiste, Tiranë, me shokun dhe kolegun tim të luftës në Kosovë, Adem Qerim Shehi, nga Farka e Tiranës. Të dy artilierë kundërajrorë. Dhe, meqenëse interesoheni, po u them se nga 5 oficerat që ishim brenda në Kosovë, në rradhët e UÇK-së, 4 ishim artilierë kundërajrorë, një ishte kimist! Ademi, gjatë luftës në Kosovë, ka komanduar Brigadën 153 të UÇK-së, me aktivitet në Malësinë e Gollakut, pjesë përbërëse e Zonës Operative të Llapit. Ndërkohë, hyn në kafene deputeti i Kuvendit Popullor, Enver Reçi, deputet i zonës elektorale ku bëjmë pjesë unë dhe Ademi. Me Enver Reçin unë isha njohur gjatë fushatës elektorale të para 4 viteve, pasi isha në një qendër votimi vëzhgues i KQZ.

Porsa na pa, u afrua dhe u ul, pa na marrë fare leje. U gëzuam për thjeshtësinë dhe modestinë e tij. Enveri ishte edhe anëtar i Kryesisë së PS. Gjatë bisedës, na pyeti edhe nëse na ishte afruar ndonjë punë nga organet shtetërore neve, oficerëve që kishim qenë pjesëmarrës në radhët e UÇK-së brenda në Kosovë. E sqaova, duke i thënë:

Në vitin 2002, kur president ishte zgjedhur ish-ushtaraku gjeneral Alfred Moisiu, i kërkova unë personalisht, me shkrim, takim në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës “Vullnetarët e Lirisë”, pjesëmarrës në Luftën Çlirimtare të Kosovës. Dhe më priti në zyrë. Ka qenë fundi i muajit gusht 2002. Pasi e njoftova për pjesëmarrësit nga Shqipëria në radhët e UÇK-së, të UÇPMB-së dhe UÇ Kombëtare në Maqedoni, më së fundi, e informova edhe për faktin se jemi gjithsej 17 oficerë të Ushtrisë Popullore, pjesëmarrës në luftën për çlirimin e këtyre tri trevave shqiptare në Ballkan, në vitet 1998-2001, duke shtuar se secili nga ne të 17-të ka përfaqësuar 1000 oficerë të Ushtrisë Popullore, e cila kishte 16.500 oficerë, kur pushtetin, në vitin 1992, e mori Partia Demokratike. pesë nga këta të 17-të, kemi qenë brenda në Kosovë, me funksione me përgjegjësi, të tjerët janë angazhuar në luftë në Preshevë (UÇPMB), një pjesë me forcat vullnetare që u grumbulluan në Shqipëri nga të gjitha trojet dhe diaspora shqiptare, në përgjigje të thirrjes prej Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, lëshuar më 1 prill 1999 për mobilizim të Përgjithshëm, të cilët morën pjesë në Operacionin “Shigjeta” në malësinë e Krumës, mali Pashtrik, për ta vënë ushtrinë serbe midis dy zjarreve. Ai operacion shpërtheu më 26 prill 1999. Dhe një pjesë në radhët e UÇ Kombëtare në Maqedoni.

Pasi më dëgjoi, më tha se nuk e kishte ai kompetencë; duhej t’i propozohej prej Kryeministrit ose prej Ministrit të Mbrojtjes. E falënderova për udhëzimin, duke i thënë:

“Faleminderit që më pritët! Por lypsarit i jepet krotha, nuk i tregohet rruga”.

Kështu u ndava, - i thashë Enver Reçit, - dhe kemi vendosur të mos i lutemi kujt tjetër, pasi e ndiejmë se na kanë marrë inat, ngaqë kemi shkuar në ndihmë të vëllezërve tanë në Kosovë, por faleminderit që na pyete, pasi je i pari politikan që na pyet, pavarësisht se e keni edhe për detyrë se jeni përfaqësuesi edhe i yni personalisht në Parlament.

Dhe Enver Reçi na tha:

“Tash kemi mbledhjen e grupit parlamentar të PS, këtu, te selia e saj. A më lejoni ta thyej unë atë bindjen tuaj dhe t’i propozoj grupit parlamentar që t’i thotë Kryeministrit Nano që ai t’i propozojë Presidentit?”.

E falënderuam. Dhe ai vijoi:

“Por do t’ju lutem shumë të më prisni jo më pak se dy orë, pasi kemi shumë çështje për të diskutuar dhe besoj se do i kaloj dy orët”.

- Faleminderit! Ju presim dy ditë e jo dy orë, pasi pa punë e pa pension jemi, - i thamë me një gojë.

Nuk kishin kaluar plotësisht dy orë, kur deputeti Enver Reçi u kthye, dhe nuk u ul, por u mbështet me të dyja duart mbi tavolinën ku ne rrinim dhe na drejtoi pyetjen:

- More çfarë ka Gramoz Ruçi me ju?

Ne u habitëm. Dhe unë i thashë:

Ne Gramozin e njohim vetëm përmes televizionit, as e kemi parë nga afër e jo më që të kemi kontaktuar me të; po pse na pyet?

Dhe ai na tha:

- Në pikën “të ndryshme”, u ngrita dhe propozova për ju të dy, që jeni banorë të zonës ku unë jam zgjedhur deputet, që të rivisheni oficerë, me gradat që kini pasur në momentin e lirimit. Dhe Gramozi nuk u mendua gjatë, por menjëherë më tha:

“Le t’i shpërblejnë ata që i kanë dërguar, nuk i kemi dërguar ne”.

- Po a pati deputetë që të mbështetën? - e pyeta unë.

- Asnjë nuk foli, - u përgjigj deputeti Enver Reçi.

U befasuam, ngaqë nuk e prisnim një reagim të tillë nga kryetari i grupit më të madh parlamentar mazhoritar të Kuvendit Popullor, dhe, veçanërisht, edhe nga indiferentizmi i gjithë atij grupi parlamentar. Prej asaj dite, na është krijuar bindja se, si presidenca, ashtu edhe qeveria, edhe deputetët tanë, na kishin marrë dhe na kanë inat pse kemi luftuar kundër Serbisë. Nëse nuk jeni dakord më këtë mendim, lutem, Profesor, më bindni.

Këto përgjigje të këtyre dy funksionarëve të lartë të vendit i japin përgjigje edhe pyetjes:

Pse nuk u realizua referendumi popullor, si në Kosovë dhe në Shqipëri, i miratuar në Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë, në Francë, për luftën në Kosovë, në muajt shkurt-mars 1999, e përfunduar në 18 mars 1999, ku në Pikën nr.3, të Nenit Nr.1, të Kapitullit 8, të Marrëveshjes së Rambujesë, theksohet:

“Tre vjet pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, do të thirret një mbledhje ndërkombëtare për të determinuar një mekanizëm për një vendosje (zgjidhje) finale për Kosovën, në bazë të vullnetit të popullit, të mendimeve të autoriteteve të rëndësishme, të përpjekjeve të secilës palë në lidhje me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje dhe të Aktit Final të Helsinkit, si dhe të ndërmerren vlerësimet e përgjithshme për respektimin e saj, duke i konsideruar propozimet nga cilado palë për masat shtesë”.

Dhe kjo pikë e këtij neni të këtij kapitulli u imponua me këmbënguljen e Sekretares së Departamentit të Shtetit të SHBA, zonjës Medlin Ollbrajt.

Dhe, më e rëndësishmja është se, më 10 qershor 2007, erdhi Presidenti George W. Bush i SHBA në Tiranë dhe meqenëse 10 qershori 2007 përkonte me 8-vjetorin e çlirimit të Kosovës (Kosova është çliruar nga UÇK-ja më 10 qershor 1999), deklaroi:

“SHBA e njohin pavarësinë e Kosovës”, që nënteksti ishte: “Bëni referendumin për bashkim kombëtar!”. Dhe, deri sot që unë po ua lëshoj këtë deklaratë, 3 shtator 2025, asnjë politikan i vetëquajtur shqiptar në Kosovë e Shqipëri, nuk e ka vënë ujin në zjarr për këtë bashkim kombëtar. Gjë që na jepet e drejta të shprehemi:

“Asnjë politikan shqiptar në Kosovë e në Shqipëri nuk e do bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”.

Shpjegimin le t’ia jepni ju dhe lexuesit.

Me shumë respekt!

Dilaver Goxhaj

(Shpëtim Golemi)”

Mbeta i befasuar nga ky qëndrim antikombëtar i politikanëve tanë kryesorë ndaj këtij ushtaraku të lartë, i cili vuri jetën në rrezik në mbrojtje të vëllezërve tanë dardanë. Është me të vërtetë për të vënë kujën: Koloneli Dilaver Goxhaj, bashkë me të birin, oficerin Dritan Goxhaj, shkuan vullnetarisht të luftojnë përkrah vëllezërve tanë të një gjaku kundër bishës fashiste serbe dhe, normalisht, ashtu si edhe të gjithë ushtarakët e tjerë nga Shqipëria, Tirana zyrtare duhej t’i kishte trajtuar tamam si heronj të kombit shqiptar. Për merita të veçanta, Kolonel Dilaveri duhej dekoruar me Medaljen më të Lartë - Nderi i Kombit, i duhej dhënë grada gjeneral dhe një pension i veçantë. Por, paradoksalisht, autoritetet e larta shtetërore jo vetëm që e shpërfilln krejtësisht heroizmin e tij, si një ushtarak i talentuar në strukturat e larta komanduese të Ushtrisë Çlirimtare të Dardanisë, por edhe bashkëshorten ia patën pushuar nga puna, kurse të birin ia patën arrestuar padrejtësisht, duke e lënë edhe pa pension. Këtë turp nuk e ngre as dheu, as qielli.

Me sa duket, tradita e vijës politike proserbosllave, e cila i ka rrënjët në 8 nëntorin e vitit 1841, vazhdon të mbetet e ngulitur në formimin psikologjik të politikanëve majtistë shqiptarë, çka gjen reflektimin e vet në qëndrimin ndaj Dardanisë.

Le të flasim me gjuhën e fakteve.

Partia me tre emra - Komuniste, e Punës dhe Socialiste, s’ka qenë dhe s’është gjë tjetër, veçse një fidanishte pjellore, ku janë kultivuar dhe janë rritur argatë, në shërbim të serbosllavizmit.

Enver Hoxha, si argat i Jugosllavisë titiste, i peshkuar me kohë nga konsulli jugosllav në vitet ’30 në Korçë, Stanoje Simiç (Stanoje Simić - 1893-1970) për ta vënë në krye të partisë komuniste, zbulohet lakuriq me fakte konkrete në studimin e historianit Kastriot Dervishi, me titull “Flagranca e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave në vitet 1944-1948”, faqja e internetit “Zëri islam”. 28 Shtator 2009.

Po ky Enver Hoxha ishte ai, i cili, në mbledhjen e Byrosë politike të 15 dhjetorit 1947, pati bërë thirrje për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Veç kësaj, me porosi po të Enver Hoxhës, në faqen e parë të Abetares së vitit 1947, qe shkruar citati helmatisës për vogëlushët e shkollave tona fillore:

“Tito luftëtar, Tito çlirimtar, Tito shpëtimtar i popullit tonë”.

Po ky Enver Hoxha ka pasë deklaruar:

“...Dashuria e popujve të Jugosllavisë e mareshalit Tito dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin shqiptar, është shumë e madhe. Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirin tonë të veriut një aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë, siç është Jugosllavia...” (Citohet sipas: Pjesë të fjalës së Enver Hoxhës para një grupi të rinjsh që morën pjesë në Plenumin IV të rinisë popullore”. Gazeta “Bashkimi”. 22 gusht 1947).

Ja çfarë ka deklaruar shumë vite më pare publicisti i njohur dardan, Xhafer Leci, me banim në Gjermani:

“Prof. As. Dr. Elmas Leci, Drejtor i Institutit të Studimit të Problemeve të Sigurimit dhe Mbrojtjes në Tiranë, në shkrimin e tij “A e shiti Enver Hoxha Kosovën”, shkruan:

“Në shtëpinë e tij, në verën e vitit 1999, Fadil Hoxhës i bëra pyetjen:

“A kishte kontaktuar dhe a ia kishte bërë ndonjëherë prezent Enver Hoxhës çështjen e rëndë të Kosovës?

Fadil Hoxha m’u përgjigj:

“Po, kam shkuar te Enver Hoxha në Tiranë, në dhjetor të vitit 1945, inkonjito, pa lejen e Titos, së bashku me Zekeria Rexhën, dhe i kam shtruar si gjendjen e rëndë nën Serbi, ku ndodhen kosovarët, ashtu edhe se ç’duhet te bënim. Kjo ishte bisedë shqiptarësh, e mendoj, për shqiptarët. Biseda, e zhvilluar në kabinetin e Enverit, në vend që të bëhej preokupim i Qeverisë Shqiptare, kishte mbërritur, para kthimit tim, te Tito" (Citohet sipas: Xhafer Leci. “Masakra e Tivarit dhe tradhtia e Enver Hoxhës”. Faqja e internetit “Zemra Shqiptare”. 19 tetor 2008).

Vetvetiu shtrohet pyetja: vallë a ka pasë qenë e mundur që Enver Hoxha të kishte menduar ndonjëherë për ribashkimin e trojeve tona etnike? Sigurisht që mund të kishte menduar, nëse do të ishte pajisur që në fëmijëri me një edukatë të shëndoshë në frymën e nacionalizmit shqiptar dhe të një morali të lartë politik. Por e kaluara e tij në Francë, gjatë kohës që ishte “student” në Universitetin e Monpeliesë (Université de Montpellier), ku nuk pati frekuentuar asnjë orë mësimi dhe nuk pati dhënë asnjë provim, dëshmon se ai ishte një njeri i degjeneruar moralisht. Një degjenerim të tillë e ka bërë publik gazetari i njohur Ferdinand Dervishi, në pjesën e dytë të dokumentarit me titull: “Abc Story: Enver Hoxha, si i vrau miqtë që i njihnin zullumet e rinisë”. Faqja e internetit “abcnews.al”. 18 korrik 2020.

Alfred Moisiu nuk mund të mbante qëndrim tjetër ndaj kolonelit Dilaver Goxhaj, sepse është i biri i Spiro Moisiut.

Historiani i lartpërmendur, Kastriot Dervishi, ish-kreu i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, ka publikuar një dokument të Arkivit të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, ku theksohet vendimi i Enver Hoxhës dhe i Spiro Moisiut për të autorizuar Dushan Mugoshën të marrë vendime në Brigadën e Parë, me komandant Mehmet Shehun. Një faksimile të atij vendimi, Kastriot Dervishi e ka botuar në faqen e internetit të gazetës “Panorama” të datës 27 tetor 2016.

Ai shqiptar me funksione të larta, i cili e bën zot shtëpie një njeri të huaj, është, pa diskutim, tradhtar i shtëpisë së vet.

Fatos Nano, në vitin 1998, deklaronte nga Lisbona se kryeqyteti i Kosovës është Beogradi. Por, ky Fatos Nano, paska qenë argat jo vetëm i serbosllavizmit, por edhe i shovinizmit grekokaragjoz. Politologu grek, Nikiforos Diamanduros, ja çfarë ka deklaruar për gazetën “Eleftheri Ora”:

“...Greqia financoi ngjitjen në karrierë të Shpëtim Idrizit, duke ndërhyrë te Fatos Nano, që ai të bëhej drejtor doganash, që, me anë të korrupsionit, të bënte para për të marrë në kontroll partinë e çamëve...” (Citohet sipas: “Lista e shqiptarëve që janë paguar nga Greqia, në mesin e tyre edhe Shpëtim Idrizi i partisë çame”. Faqja e internetit “Ina”. 22 tetor 2018).

Sipas asaj liste, argatin e shovinizmit grekokaragjoz, politikanin tradhtar Shpëtim Idrizi, Greqia e paska blerë me 340 mijë euro.

Gramoz Ruçi dhe grupi parlamentar i partisë socialiste, me atë qëndrim prej tradhtarësh kundër kolonelit Dilaver Goxhaj dhe oficerëve të tjerë që shkuan vullnetarisht në Dardani të luftojnë në mbrojtje të vëllezërve tanë, kanë dëshmuar rreshtimin e tyre në mbështetje të trashëgimisë së nënës së tyre komuniste, si agjenturë e Jugosllavisë titiste në vendin tonë, çka historiani Kastriot Dervishi e ka dëshmuar me fakte konkrete, sipas analizës së sipërcituar.

Rexhep Mejdani, me përgjigjen që i ka dhënë kolonelit Dilaver Goxhaj, ka dëshmuar se qenka argat i Rusisë shoviniste dhe baba shpirtëror paska pasur presidentin rus Boris Jelcin. Vajmedet për ne shqiptarët se kë paskemi pasur president!

Koloneli Dilaver Goxhaj, si një intelektual ushtarak me brymosje të shkëlqyer atdhetarizmi, shprehet me revoltë kundër politikanëve shqiptarë, të cilët, qoftë në Prishtinë, qoftë në Tiranë, nuk e duan jo vetëm bashkimin e Dardanisë, por as edhe bashkimin e trojeve të tjera etnike me Shqipërinë. Domosdo, se edhe në Prishtinë është selitur me kohë kasta e tradhtarëve, argatë të serbosllavizmit. Kreu i këtyre tradhtarëve ka qënë dhe është Hashim Thaçi dhe banda e tij. Hashim Thaçi ka qenë i rekrutuar nga shërbimi sekret francez për llogari të Serbisë fashiste. Për këtë rekrutim flitet konkretisht në informacionin e botuar në internet, me titull “Hashim Thaçi është agjent i Francës, e rekrutuan në Rambuje”. Faqja e internetit “lajme”. 25 janar 2016. Pikërisht nga banda e Hashim Thaçit është frymëzuar opozita tradhtare në Kuvendin e Republikës së Dardanisë, e cila, gjatë një periudhe më shumë se 6-muore, nuk votoi për konstituimin e tij.

Politikanët shqiptarë nuk e duan bashkimin në fjalë, sepse i përmbahen vijës politike të Enver Hoxhës, i cili, në Konferencën e Paqes në Paris të vitit 1946, nuk e shfrytëzoi rastin ideal që u krijua, kur “...Shefi i misionit amerikan Jakobs... preku një çështje delikate. Ai e pyeti Hoxhën, se cili do të ishte reagimi i tij, në qoftë se Shqipëria do të kërkonte futjen në axhendën e Konferencës së Paqes të kërkesës për rajonin e Kosovës, dhe në rast se Delegacioni i SHBA do të votonte kundër së drejtës së Shqipërisë për ta diskutuar këtë kërkesë në Konferencë. “A nuk mendoni ju se, të paktën, kërkesa juaj duhet të diskutohet dhe të studiohet?” - kishte pyetur Jakobsi. Kësaj pyetjeje E. Hoxha iu përgjigj në një mënyrë të turbullt dhe mohuese. Ai i tha përfaqësuesit amerikan se “kjo nuk përbën një rast analog, sepse ne nuk jemi duke shtruar kërkesën për rajonin e Kosovës nga aleatja jonë, Jugosllavia”” (Citohet sipas: Prof.dr. Beqir Meta. “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”. GEER. Tiranë 2002, f. 515-516).

Edi Rama, në vazhdën e traditës së dashurisë enveriste për serbosllavizmin, jo vetëm që s’ka menduar kurrën e kurrës për bashkimin e Dardanisë me Shqipërinë, por, përkundrazi, sapo u bë kryeministër, filloi flirtimet me armikun e Dardanisë, kriminelin Vuçiç, pasardhësin e Milosheviçit, për copëtimin e saj.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka deklaruar :

“Në 2016, në Nish, Vuçiç filloi bisedimet me Ramën për ndarjen e Kosovës…” (Citohet sipas: Sonja Biserko: “Jo Bolton, as Grenell, ja kush filloi bisedimet më 2016 për ndarjen e Kosovës”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 06 korrik 2020).

Një gjë tejet interesante është vënë re lidhur me Çështjen e bashkimit të trojeve tona etnike. Çështje kjo krejtësisht e kundërt me qëndrimin prej tradhtarësh të politikanëve shqiptarë në majat e politikës. Janë dy personalitete të shquara të politikës botërore, të cilët janë shprehur për bashkimin e tyre. Këta janë:

Henry Kissingeri (1923-2023), Sekretar i Departamentit të Shtetit në vitet 1973-1977 dhe Këshilltar për Sigurinë Kombëtare prej vitit 1969 deri në vitin 1975. Rreth një muaj më parë, në emisionin “Esencë” të kanalit televiziv Report TV, gazetari Eljan Tanini kishte ftuar për një intervistë diplomatin e njohur Çlirim Çepani, një personalitet emblematik ky, veteran i shërbimit diplomatik në vende të ndryshme, duke filluar nga Amerika Latine, Kuba etj. Gjatë intervistës, gazetari e pyeti për takimet që ai ka pasur me personalitete të ndryshme botërore. Në përgjigje të pyetjeve, diplomati Çepani foli për takimet që ka pasur me Fidel Kastron, Nelson Mandelën dhe personalitete të tjera. Ndërkohë, gazetari e pyeti, nëse i kishte qëlluar rasti të takohej me ikonën e diplomacisë amerikane, Henry Kissingerin. I nxitur nga kërshëria për përgjigjen që do të jepte diplomati Çepani, vendosa ta zbardh në kompjuter dialogun e tyre:

Gazetari: Po Kissingerin, meqë jemi te këto figurat e mëdhaja?

Ambasadori: Kur u ktheva nga Italia.., shkova fillimisht këshilltar diplomatik i parlamentit, i Kryetarit Servet Pëllumbi. Më vonë kalova këshilltar diplomatik i Presidentit Topi dhe këshilltar diplomatik i Presidentit Nishani... Kishim një vizitë zyrtare në Izrael, në Jerusalem, në vitin 2012. Na priti Presidenti i Izraelit, një burrë jashtëzakonisht pozitiv dhe tepër i thjeshtë, në zyrën e vet. Na pritën shumë mirë si delegacion, kuptohet dhe për lidhjet miqësore që kemi pasur në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës II Botërore. Aty merrte pjesë në një kongres, se u bë një kongres botëror për paqen në Lindjen e Mesme. Erdhi dhe Kissingeri. Dhe Kissingerit, nëpërmjet ministrisë së punëve të jashtme, i kërkuam një takim. Se ishte një nder i madh ta takoje personalitetin më të madh të Perëndimit në diplomaci.

Gazetari: A e pyetët, kur u takuat, për Kosovën?

Ambasadori: Atje bëmë një bisedë tepër interesante. Na uli dhe na pyeti që kur u takuam:

- Ç’kemi nga Shqipëria? Ç’kemi nga Kosova? Sa banorë ka në Kosovë, shqiptarë? Sa shqiptarë ka në Kosovë? Sa shqiptarë ka në Maqedoni? Sa shqiptarë ka në Serbi? Sa shqiptarë ka në Mal të Zi? Ai, si kalkulatriçe, ishte shkencëtar në fushën e fizikës, por ishte shkencëtar edhe në fushën e diplomacisë. Ai të bënte pyetje konkrete dhe donte përgjigje konkrete, kuptohet, dhe erdhi momenti që atë përgjigje kërkonte:

- A ju ka shkuar ndonjëherë ndër mend që të bashkoheni?

Gazetari: Të bashkohet Shqipëria me Kosovën?

Ambasadori: Të bashkoheni të tërë, domethënë si komb shqiptar... Domethënë ai e dinte se Shqipëria ishte e copëtuar në kaq pjesë.

Gazetari: Çfarë i thatë ju? Po?

Ambasadori: Ne, - i thamë, - rruga e vetme që shikojmë është rruga e Bashkimit Europian, kur të integrohemi të gjithë në Europë… Ishte koha që ishte bërë bashkimi i Gjermanisë… Ai i dinte proceset një për një. Prandaj ai të jepte të kuptoje: edhe në rast se s’u ka shkuar mendja, shikojini këto probleme, se kjo është në interes të kombit shqiptar... Ishte një gjë e rrallë, një gjë elitare, ta takoje Kissingerin. Ne ishim shqiptarët e parë që e takuam.

Gazetari: Ishit me presidentin Topi?

Ambasadori: Me Topin.

Gazetari: Foli presidenti Topi?

Ambasadori: Foli, foli... (Citohet sipas: “Fidel Castro piu Raki Skrapari dhe hëngri ullinj Berati! Esencë-Report Tv”. YouTube).

Vajmedet për ish-Presidentin Bamir Topi. Ky ishte një tjetër rast ideal, si ai në Konferencën e Paqes të vitit 1946, të përmendur më lart, për t’i thënë shkoqur Henry Kissingerit për krimin që ka kryer Europa nën diktatin e Rusisë cariste për copëtimin e trojeve tona etnike në vitin 1878 dhe në vitin 1913. Bamir Topi, si përfaqësues i politikës antikombëtare të Tiranës lidhur me qëndrimin ndaj trojeve tona etnike, nuk mund të kërkonte ndërhyrjen e Henry Kissingerit për të krijuar një lob proshqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllim shtrimin e këtij problemi në Kongresin dhe në Senatin amerikan, deri edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Angela Merkel (1954), Kancelare e Gjermanisë prej vitit 2005 deri në vitin 2021. Në një informacion, të botuar në internet, thuhet:

“Kancelarja gjermane, zonja Angela Merkel, gjatë një takimi me gazetarët në Berlin, ka folur rreth disa çështjeve në Ballkanin Perëndimor, duke folur, gjithashtu, edhe për Shqipërinë e shqiptarët që jetojnë në Ballkan. Angela Merkel theksoi se shqiptarët u ndanë gjatë luftërave ballkanike dhe pas luftës së parë botërore, ajo tha se Shqipëria është i vetmi shtet në botë, i cili kufizohet nga të gjitha anët me bashkëkombasit e vet. Kancelarja Gjermane deklaroi se shteti shqiptar duhet të punojë fort për mbrojtjen e popullit shqiptar në çdo anë të kufirit, duke mos lejuar që shtetet e tjera të përfitojnë, ashtu siç po bën Turqia me shekuj, duke i mbështetur financiarisht dhe politikisht shqiptarët në Maqedoni, Kosovë dhe Luginë. Në fund, kancelarja u shpreh se dëshira e saj është ta shohë një Shqipëri, ashtu siç e ka krijuar Zoti, të bashkuar dhe të fortë drejt BE-së” (Citohet sipas: “Merkel trondit Ballkanin, shqiptarët duhet të kenë një shtet, sepse jau kemi borxh”. Faqja e internetit “Revista Ditore”. 28 dhjetor 2020).


Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".