SHTETI QË NUK MUND TA ZGJEDHË PRESIDENTIN/EN: NUK ËSHTË NORMAL!...
Ismail Muçiqi
Shkruan gazetari Ismail Muçiqi.
Po na ndodhin anomalitë më të ndryshme në shoqërinë tonë Kosovare. Kjo çmenduri, e cila po manifestohet përmes politikës, klaneve partiake, liderëve të partive politike, analistëve joprofesionalë, deri tek profesorët e jurisprudencës me tituj akademikë, e ka futur Kosovën në një qorrsokak që vetëm Zoti mund ta shpëtojë. Si mund t’i besojmë sistemit të drejtësisë apo vendimeve të gjykatave, kur profesorët e Fakultetit të Drejtësisë te cilët i kanë prodhuar këto kuadra në jurispudencë e të cilët i komentojnë normat ligjore dhe kushtetuese në mënyra të ndryshme, në kundërshtim me njëri-tjetrin, duke e zbehur edhe shkencën e drejtësisë?
Derisa ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, publikisht deklaron se Presidentja e Kosovës, zonja Osmani, e ka shkelur Kushtetutën dhe ka bërë puç ndaj shtetit, në anën tjetër profesor doktor Ismet Salihu thotë të kundërtën: se dekreti i Presidentes Osmani është i ligjshëm dhe kushtetues. Këtij zjarri është duke i fry edhe një numër i caktuar i avokatëve të cilëve CV e autobiografis nuk e kalon gjeografin e mahallës. Gjatë kësaj situate polarizuese dhe shumë të mjerueshme, qytetarët e Kosovës, shtresat intelektuale dhe gjeneratat që kanë dhënë shumë kontribut për Kosovën, janë të shqetësuar dhe të brengosur për gjendjen në shoqërinë tonë. Është interesant të theksohet se pothuajse i gjithë stafi i profesorëve të Fakultetit Juridik të Prishtinës, me tituj akademikë, janë aktivizuar me deklarata kundër njëri-tjetrit, duke shpërthyer përmes inateve se cili është më i dijshëm, më i mençur apo më i ngritur. Këto polarizime po vazhdojnë me net e ditë të tëra përmes të ashtuquajturave mjete të informimit, përkatësisht përmes televizioneve private, të cilat e kanë marrë në dorë bërjen e politikës, duke krijuar mjegull dhe tensione në shoqëri. Se me të vërtetë jemi shoqëri pa invencion, pa vizion dhe larg nivelit që kërkon situata aktuale e një shteti normal, po tregojnë faktet kur një shtet nuk mund ta zgjedhë Presidentin e vet. Çfarë besimi gëzon në arenën ndërkombëtare? Për këtë situatë të krijuar nuk mund t’i ikin përgjegjësisë partitë politike, klanet dhe grupet e interesit brenda tyre, liderët partiakë dhe deputetët e Parlamentit, të cilët përmes bllokadave e kanë vënë në pikëpyetje funksionimin e Republikës së Kosovës. Më thotë mendja se me vite nëpër institucionet e shtetit kanë depërtuar njerëz të padijshëm, joprofesionalë, pa dinjitet, të cilët kauzë kanë interesin materialo-financiar për veten dhe familjen, duke lënë anash interesin e përgjithshëm.
Në fund po theksojmë se pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila në shumë raste më shumë ka krijuar konfuzion sesa ka kontribuar për zhbllokimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, po të kishte dinjitet në strukturat e partive politike, çështja e Presidentit do të zgjidhej brenda ditës, duke propozuar një kandidat jashtëpartiak – e të tillë ka mjaft Kosova. Mendoj që Shoqëria Civile duhet të dalë sa më parë me propozimin e saj për të propozuar një kandidat për President të Republikës së Kosovës, jashtëpartiak, i cili ka emër dhe është dëshmuar me aktivitetin, punën dhe veprimin në sferën e ndërtimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. E nëse partitë politike e refuzojnë, nuk e votojnë apo e bllokojnë procesin, atëherë Shoqëria Civile ka të drejtën morale, njerëzore dhe demokratike që t’i ftojë qytetarët për t’i bojkotuar zgjedhjet nëse ato shpallen
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
