Kosova përballë pasqyrës së aleatëve

Kosova përballë pasqyrës së aleatëve
Kosova përballë pasqyrës së aleatëve

Qani Shabani

  • 23 September 2025 - 11:45

Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani

Në politikën ndërkombëtare, sinjalet janë si këmbanat: bien vetëm kur ka alarm. Dhe kur Shtetet e Bashkuara – aleati më i fuqishëm i Kosovës – vendosin të pezullojnë Dialogun Strategjik, kjo nuk është një manovër taktike. Është një thirrje urgjente për vetëdijesim shtetëror dhe një paralajmërim i qartë se ora diplomatike po troket ndryshe.

 

Për Kosovën, ky është moment reflektimi serioz. Nuk ka më vend për relativizëm, sepse diplomacia amerikane është e matur, dhe kur reagon, e bën mbi bazë të analizave strategjike – jo për tekat e një ambasadori apo për ndonjë presion të përkohshëm.

 

Qeveria në detyrë ka rrëshqitur drejt një izolimi të rrezikshëm politik, duke ngatërruar qëndresën me mospërfilljen dhe sovranitetin me vetë-mjaftueshmëri.

 

SHBA nuk e kundërshton përpjekjen për të vendosur rend në veri. Përkundrazi – e ka mbështetur historikisht integritetin territorial të Kosovës. Por ajo reagon kur mungon koordinimi, kur mungon dëgjimi i partnerëve dhe kur institucionet refuzojnë të ndërtojnë konsensus me aleatët. Kur miqtë fillojnë të flasin publikisht, do të thotë se rrugët private të komunikimit janë shterur.

 

Kosova, me një ekonomi të brishtë dhe pa fuqi ushtarake apo ndikim të pavarur ndërkombëtar, nuk ka luksin e vetizolimit. Në këtë fazë, çdo shmangie nga partneriteti strategjik është një lojë e rrezikshme me të ardhmen e vendit.

 

Mosmarrëveshjet e brendshme mes elitave, mungesa e konsensusit për dialogun me Serbinë dhe neglizhenca në formimin e institucioneve pas zgjedhjeve kanë krijuar një pamje të paqartë institucionale. Kosova po shfaq paaftësi për të përmbyllur cikle demokratike, duke minuar kështu besueshmërinë e saj ndërkombëtare – në një kohë kur ajo ka nevojë për çdo gram legjitimitet dhe mbështetje.

 

Askush nuk e konteston se veriu nuk mundet dhe nuk do të jetë arenë e kriminelëve, bandave të organizuara dhe strukturave ilegale të dirigjuara nga Beogradi. Aty kërkohet rend, ligj dhe sovranitet i plotë. Por mënyra si shteti e realizon këtë objektiv është po aq e rëndësishme sa vetë synimi. Diplomatët e huaj nuk gjykojnë qëllimin – por pasojat dhe mënyrën e veprimit.

 

Sot, Kosova ka të drejtë në kërkesat e saj. Por ka më pak përkrahje se më parë. Dhe kjo nuk është për shkak të ndonjë konspiracioni ndërkombëtar, por si pasojë e një kursi të brendshëm politik që perceptohet gjithnjë e më tepër si i mbyllur, i pakonsultuar dhe i pakoordinuar.

 

Në një rajon si Ballkani, nuk mjafton të kesh të drejtë – duhet ta mbrosh atë të drejtë me aleatë të fortë. Dhe kur SHBA lodhet, edhe zëri më legjitim mund të bjerë në vesh të shurdhër.

 

Deklaratat si “nuk jemi prishur me Amerikën” mund të qetësojnë publikun e brendshëm, por nuk e zgjidhin as vetminë diplomatike, as stagnimin strategjik. Aleanca nuk është një deklaratë, por një kontratë të ndërsjellë besimi, e cila ka nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme.

 

Serbia dhe Rusia janë gjithmonë në pritje të vakumit të Kosovës për ta shndërruar në përfitim të tyre. Çdo tension me SHBA-në është një dhuratë gjeopolitike për Beogradin dhe Moskën. Nëse Kosova fillon të trajtojë aleatët si rivalë, atëherë fillon të gërryejë themelet e vetë ekzistencës së saj ndërkombëtare.

 

Koha për reflektim nuk është nesër. Është tani. Sepse historia nuk i fal kombet që nuk dinë të lexojnë momentin kur duhet të ndryshojnë qasje.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".