Kush e mban peshën e shtetit?
Isuf Bajraktari
Nga Isuf Bajraktari
Politika kosovare në vitet e fundit ka hyrë në një logjikë qeverisjeje që është prezantuar si reformuese, por shpesh është shfaqur si izoluese dhe e pakoordinuar. Qeverisja e kaluar, e udhëhequr nga subjekti më i madh politik, ngriti një model ku sovraniteti u përdor më shumë si slogan sesa si instrument shtetëror, ndërsa kokëfortësia u shndërrua në politikë ditore. Në vend të bashkërendimit me aleatët strategjikë, shpesh u preferua një kurs i përplasjes verbale, duke e futur Kosovën në tensione të panevojshme.
Qeveria shpalli se po mbronte interesin kombëtar me vendime të “trimëruara”, por shumë prej këtyre veprimeve qenë rezultat i impulsit politik, jo i llogaritjeve shtetërore. Aleatët kryesorë u trajtuan me dyshim, madje edhe me tone sfiduese, duke krijuar distanca diplomatike që Kosova nuk ka luks t’i përballojë. Mbështetja ndërkombëtare nuk është një opsion është themeli mbi të cilin është ngritur vetë shteti.
Në vend të një politike të jashtme të matur, vendimmarrja u centralizua në një grup të ngushtë që e interpretonte koordinimin si dobësi. Kjo krijoi një model vetë-menaxhimi politik ku deklaratat ishin të forta, por rezultatet të pakta. Sovraniteti nuk matet me retorikë të tensionuar; matet me aftësinë për të ruajtur aleancat dhe për të krijuar besim ndërkombëtar.
Në planin e brendshëm, qeverisja shpesh e trajtoi kritikën si armiqësi dhe opozitën si pengesë. Kjo qasje thelloi përçarjet, uli besimin tek institucionet dhe krijoi klimë ku shteti harxhon energji duke luftuar vetveten. Republika nuk ndërtohet me retorikë polarizuese, por me ekuilibër dhe aftësi për të bashkuar palët.
Kush e mban peshën e shtetit?
Peshën e shtetit nuk e mban një parti, as një lider, e as një narrativë politike. Atë e mbajnë institucionet e fuqishme, partneritetet e qëndrueshme ndërkombëtare dhe shoqëria që qëndron mbi interesat partiake.
Thukididi do të thoshte se shtetet rrëzohen jo nga presioni i jashtëm, por nga gërryerja e brendshme. Kosova duhet të mësojë këtë mësim: të largohet nga politika e izolimit dhe të kthehet te diplomacia e matur dhe përgjegjësia institucionale.
Nëse jo, peshën e shtetit do ta mbajë gjithnjë e më pak kush duhet dhe gjithnjë e më shumë kush nuk mundet.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
