Çasja e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës ka standarde të dyfishta

Çasja e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës ka standarde të dyfishta
Çasja e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës ka standarde të dyfishta

Florim Zeqa

  • 26 November 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, çasja e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës ka standarde të dyfishta! Edhe pse me të gjitha kriteret e përmbushura për liberalizim të vizave, BE-ja na mbajti për më tepër se një dekadë të getoizuar në zemër të Ballkanit, edhe tani të njëjtën gjë po e bën me kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në BE!

 

-Edhe përkundër faktit se Kosova konsiderohet “pjesë e pandashme” e projektit të zgjerimit, BE-ja vazhdon të mos e njohë si vend kandidat me të drejta të barabarta, pavarësisht përputhshmërisë së lartë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së!

Janë të pakuptimta obstruksionet që BE-ja po i bën Kosovës me progres të theksuar në fushën e sundimit të ligjit, respektivisht të rezultateve të prekshme në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në tërë territorin e vendit, në veri në veçanti!

Pakënaqësia e Komisioneres së BE-së, Marta Kos për zgjedhjet në Kosovë paraqet ndërhyrje të tërthortë dhe indirekte në proceset demokratike të vendit tonë, që ajo vetë e vlerëson si funksional dhe me përparim të theksuar në fushën e sigurisë!

Përderisa Komisioni Evropian e justifikon vonesën e dhënjes së Kosovës statusin e vendit kandidat për anëtarësim me pritjen e ratifikimit të dy marrëveshjeve të famshme ndërkombëtare, është vetë BE-ja ajo që po i vonon proceset që lidhen me zgjerimin apo më mirë të themi plotësimin e Bashkimit Evropian me gjashtë e vendet e Ballkanit Perëndimor!

Edhe pse Komisionerja Marta Kos deklaroi se Kosova, ndonëse ende jo vend kandidat zyrtar, është plotësisht e përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, në nivel të ngjashëm me Shqipërinë. Megjithatë ajo ngurron ta thotë në mënyrë decidive nevojën e anëtarësimit të Kosovës në BE si kusht të nevojshëm dhe të domosdoshëm për stabilitet të qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit.

Ndërlidhja e procesit të ardhshëm zgjedhor me statusin e vendit kandidat për Kosovës nga ana e Komisioneres Marta Kos, më tepër ka elemente subjektive ndaj kryeministrit të vendit sesa që janë arsye parimore që kanë të bëjnë me plotësimin e kushteve për anëtarësim!

E “kuptojmë” pakënaqësinë e Komisioneres Marta Kos, por më të pakënaqur janë qytetarët e Kosovës, të cilët i pret një sfidë akoma më e madhe në të ardhmen e afërt pas zgjedhjve të jashtëzakonshme si pasojë e bllokimit të fondeve të BE-së për Kosovën, të cilat janë produkt i sanksioneve të padrejta të vëna ndaj Kosovës për shkak të veprimeve destruktive të serbëve lokal në veri të vendit tonë!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".