'Kombi kosovar' dhe intelektualët e mimikrisë
Gezim Mekuli
Nga Gëzim Mekuli
Ka disa intelektualë që nuk mendojnë, por përshtaten. Këta mimikrist nuk prodhojnë ide, por i importojnë ato; nuk mbrojnë kombin e vet, por matin pulsin e qendrave të huaja të pushtetit dhe flasin e shkruajnë me zërin e tyre. Kjo nuk është as kozmopolitizëm as servilizëm, por është mimikri.
Teoria moderne e kombit është e qartë: kombet nuk shpiken në tavolina fondacionesh, OJQ-shë dhe as nuk "dizajnohen" nga strategë gjeopolitik. Ato lindin nga memoria historike, sociale, gjuha, kultura, përvoja e përbashkët dhe vetëdija kolektive.
Identiteti kombëtar nuk është produkt facebooku e as i 10 librave; është proces i gjatë shekullor. Mos të harrojmë se edhe në "Reichun e tretë" kishim intelektual mimikristë që shkruanin "për kombin arian", biles edhe Adolf Hitleri shkroi librin antihistorik e luftënxitës, "Mein Kampf".
Edhe "Kombi kosovar" është pikërisht një produkt i moçëm politik i importuar nga jashtë: një konstrukt artificial, i paketuar jashtë, diku në Shumadi, Kralevë a Beograd, dhe po na shitet brenda, me qëllim të qartë; dobësimin e kombit historik shqiptar. "Kombi kosovar", ky projekt dinak serb, është yrrneku modern i ndarjes koloniale: tani jo me kufij ushtarak, por me kufij identitarë.
Intelektualët e ngratë që promovojnë këtë projekt nuk janë përparimtarë; janë përkthyes të shkretë të interesave të huaja. Ata nuk ndërtojnë të ardhmen e popullit brenda hapsirës shqiptare; por riciklojnë strategjinë serbomadhe me gjuhë "moderne".
Të dashur lexues,
Kombi nuk copëtohet me konferenca, me 2 a 3 libra, me televizione e as me grante. Kombi ose është histori, ose është propagandë. Dhe kjo e fundit ka gjithmonë sponsorë nga Serbia/Rusia dhe satelitët e tyre.
Shumë mund të pyesin: E çka është Mimikria intelektuale?
Mimikria intelektuale është arti i të dukurit kinse "i zgjuar" pa pasur asnjë mendim origjinal; është përdorimi i retorikës si mburojë dhe i citateve të autorëve të huaj si fasadë për një tru dembel.
Këta intelektualë nuk flasin për të komunikuar, por për të përjashtuar. Këta të shkretë fshihen pas emrave të mëdhenj (Nietzsche, Foucault, Smith, Anderson etj.) sepse sall mendimi i tyre joargumentues do të dukej qesharak në publik. Këta nuk bashkëmendojnë me autorët që vet i citojnë, ata thjeshtë shkruajnë emrat e tyre për të krijuar një autoritet të rremë tek lexuesi/shikuesi.
Mimikria e tyre është një mjet për t'u lëpirë pas "elitave" (dikur titizmit, jugosllavizmit, unmikut,...etj.) dhe për të siguruar një stol në debate televizive apo diku në ndonjë universitet.
Konsekuent deri në fund: Mimikristët intelektual kur sfidohen, ata nuk argumentojnë, por djersiten dhe sulmojnë me përbuzje dhe "argumentime" adhominem: për shembull përdorin etiketa sikurse "ti je i painformuar", "nuk e njeh literaturën ti", "ti je komunist", ti je enverist, stalinist" e blla, blla, blla).
Këta të ngratë krijojnë një ambient ku "të dukesh" është më e rëndësishme se "të jesh vetja". Këta janë zhurmues që mbysin zërin e arsyes dhe shkencës, duke e kthyer hapësirën publike në një teatër ku luhet roli i " më të diturit në botë".
Mu për këtë fakt këta edhe dështojnë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
