Diplomatët e komprometuar - Lajqak dhe Mogherini!

Diplomatët e komprometuar - Lajqak dhe Mogherini!
Diplomatët e komprometuar - Lajqak dhe Mogherini!

Ismail Muçiqi

  • 02 February 2026 - 07:30

Shkruan Ismail Muçiqi


Koha po dëshmon se fati i Kosovës, proceset e saj integruese në Bashkimin Evropian, si dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, janë menaxhuar për vite me radhë nga diplomatë që nuk ishin as të denjë dhe as të besueshëm për të zgjidhur një çështje kaq të ndjeshme dhe komplekse. Është me rëndësi të theksohet se një pjesë e këtyre diplomatëve, duke filluar nga Escobar, Mogherini, Lajçak dhe disa prej asistentëve të tyre, në emër të diplomacisë evropiane – e herë pas here edhe asaj amerikane – erdhën në Kosovë me një qasje që në praktikë shpesh i shërbeu Serbisë agresore, e cila i shkaktoi Ballkanit katër luftëra shkatërruese. Se këta diplomatë nuk kishin dinjitet dhe integritet të mjaftueshëm profesional, sot po dëshmohet edhe përmes aferave dhe skandaleve që kanë shpërthyer lidhur me veprimtarinë e tyre politike, përfshirë edhe keqpërdorime të fondeve të Bashkimit Evropian. Ish-diplomatja e BE-së, Federica Mogherini, ishte ajo që për vite me radhë e mbajti peng dialogun Kosovë–Serbi përmes oportunizmit, hileve diplomatike dhe qëndrimeve të njëanshme, të cilat në shumë raste favorizuan Vuçiqin dhe Qeverinë e Serbisë.

Poashtu, edhe ish-diplomati Miroslav Lajçak po përballet me afera dhe skandale që rëndojnë mbi figurën e tij publike. Gjatë procesit të dialogut, ai haptazi u percaktua si i njëanshëm, duke mbajtur qëndrime që e vendosnin Serbinë në pozitë të favorshme ndaj Kosovës. Këto janë vetëm disa nga faktet dhe argumentet që dëshmojnë se, historikisht, fuqitë e mëdha – përmes përfaqësuesve të tyre diplomatikë – shpesh e kanë dëmtuar Kosovën dhe, në përgjithësi, fatin e kombit Shqiptar. Nëse i rikthehemi presioneve diplomatike dhe mënyrës se si u zhvillua dialogu nën ndërmjetësimin e këtyre figurave, del qartë se Kryeministri Albin Kurti kishte të drejtë në qëndrimin e tij të ashpër dhe parimor në mbrojtje të interesave të shtetit dhe popullit të Kosovës. Ngjarjet e fundit dhe aferat që po dalin në dritë i demantojnë edhe qëndrimet e portaleve, mediave dhe televizioneve private, si dhe të pseudo-analistëve e opinionistëve në Kosovë, të cilët për javë, muaj e vite me radhë e akuzuan Qeverinë e Kosovës dhe Kryeministrin Kurti se gjoja janë kundër Bashkimit Evropian dhe kundër Amerikës. Kjo mendësi primitive e një klase pseudo-intelektuale vazhdon ta mbajë peng sektorin e informimit medial në shoqërinë Kosovare. Po të kishin sadopak moral profesional, këta individë do të duhej të skuqeshin për dështimet, manipulimet dhe analizat e tyre të pasakta në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke u turpëruar jo vetëm para opinionit të gjerë Shqiptar, por edhe para vetë familjeve të tyre. Në fund mund të konstatojm se interesi i Kosovës si dhe afrimimi i saj në Arenën Ndërkombëtare u mbrojt dhe u menaxhua në mënyrën më të duhur duke i balancuar raportet dhe veprimet shumë productive nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti.


Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".