'Superhëna' më e madhe dhe e shndritshme e vitit lind sonte

  • 07 April 2020 - 23:15
'Superhëna' më e madhe dhe e shndritshme e vitit lind sonte

Nëse arrini të keni një pamje të mirë të qiellit sonte teksa jeni në karantinë, qoftë nga ballkoni apo dritarja juaj, hidhini një sy “superhënës”.

Një fenomen i tillë ndodh kur hëna e plotë ndodhet në pikën më të afërt me Tokën.

Si rrjedhojë, hëna duket disi më e madhe sesa zakonisht. Sonte pritet të jetë hëna më e madhe dhe e shndritshme e 2020.

Në varësi të motit, hëna do të jetë e dukshme si për hemisferën e veriut ashtu edhe për atë jugut.

Hëna do të duket rreth 17 për qind më e madhe dhe 30 për qind më e shndritshme, thotë Noah Petro, një shkencëtar i NASA, i cili inkurajon njerëzit që ta shijojnë këtë pamje në kushtet e izolimit.

“Nuk do të jetë e nevojshme që të keni pajisje të specializuara teknologjike, ajo do të jetë e dukshme edhe me sy të lirë” tha ai. 

Petro thotë se këto janë nga ato momentet që i bëjnë njerëzit bashkë, edhe nëse janë të izoluar për shkak të kufizimeve nga koronavirus. 

“Nuk ka rëndësi nëse je i izoluar në shtëpinë tënde në Angli, në Uashington, apo në Azi. Të gjithë do të shohim të njëjtën hënë, është diçka e përbashkët në të gjithë globin. Dhe tani, pikërisht në këto kohë, mendoj se është shumë e rëndësishme që të kemi diçka që të na bashkojë të gjithë.”


(Kosova Sot Online)